Ndoc Shllaku
Roli i tij në arsim dhe në muzikën shkodrane
KAPITULLI 2
FAMILJA SHLLAKU
2.1 Traditat
“… Oborri i Bushatlinjve, që nga 1800 kishte filluar të pajtonte edhe ahengxhijtë vendas. Grupi i parë është ai i Mehmet Shllakut nga Vukatana. Kjo periudhë është e lidhur tërësisht me përhapjen e këngës turke. Edhe instrumentet që luanin ahengxhijtë janë të huazuar nga muzika turke, si sazja, qemane (violinë), dajre…” Gjithashtu përmendet edhe Sul Shllaku: “...Kanë qenë sazexhinj apo të zot të tambures në aheng dhe më vonë në orkestra të ndryshme dhe janë: Mehmet Shllaku, Simoni i Mark Ketës, Ndrek Vogli, Mani i Zigos, Nush Pali, Shan Koleka, Balto Luka, Pjetër Tafili, Shuk Kovaçi, Gega i Mark Gegës, Sul Shllaku etj.”
2.2 DOM Ndue SHLLAKU
I lindur në vitin 1829 në Shkodër nga Pjetër e Tereza Shllaku, ishte me i madhi i fëmijëvë.
Pema e familjes ndërtuar nga Ndoc Shllaku |
17.2.1857 D. Ndue Shllaku Shkodër 14.2.1858
24.2.1857 D. Mati Radovani (Nd) Shirokë 31.1.1858
27.2.1858 D. Gjon Spathari ? 15.8.1858
16.3.1858 D. Ndue Shllaku (Nd) Shkodër 15.8.1858
15.8.1858 D, Ndue Shllaku Shkodër 17.2.1862
Duke qenë një ndër kundërshtarët e pushtimit shekullor otoman, si dhe i papajtueshëm me synimet shoviniste të Malit të Zi, ai u bë një ndër organizatorët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilluar 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, në të cilët do të vinin përfaqsues nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Aktiviteti i tij patriotik u hetua nga Krajl Nikolla, i cili duke e njohur si kundërshtar kryesor të planeve grabitqare të tij, e helmoi Dom Ndue Shllaku pabesisht në Cetinë. Mbyll jetën kështu në moshë të re, një prej burrave të mendëshëm të kombit tonë, kleriku, intelektuali dhe patrioti Dom Ndue Shllaku, i vlerësuar për meritat e tija si nga Porta e Lartë ashtu edhe nga Perandoria Austro-Hungareze me medalje të larta nderi.
2.3 DOM Mark SHLLAKU
I biri i Jak dhe Çile Shllakut, ka lindur në Shkodër në vitin 1855. Mësimet e para dhe tëmesme i bëri në Rraguzë me rezultate të shkëlqyera, ndërsa të lartat ne Propaganda Fide në Romë.
Meshën e parë e thotë me 1881, dhe ishte i lejuar të celebronte Meshë në çdo kishë të Qytetit të Shejtë. Ka filluar detyrën si famullitar, në fshatrat: Velipojë, Rrenc, Beltojë e se fundi në Obot, duke shërbyer kështu për afro 60 vjet. Falë përkushtimit të tij dhe aftësive të veçanta, ka zotëruar 11 gjuhë të huaja dhe ka patur katër doktorata: në Filozofi, Teologji, Avokaturë dhe Elokuencë. Ka gëzuar titullin Monsinjor. Dom Mark Shllaku është bashkëthemelues i Shoqërisë “Bashkimi”, me At Gjergj Fishtën, Imzot Jak Serreqin, Imzot Lazer Mjeden, Imzot Dod Kolecin, Dom Ndoc Nikajn, At Pashk Bardhin. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit për Alfabetin e Gjuhës Shqipe dhe është bashkëautor i "Fjalorit të Ri të Gjuhës Shqipe", vepra e parë e shoqerisë “Bashkimi” (9 janar 1908).
"...Vepra e parë dhe themeltare që doli nga shoqëria " Bashkimi", qe "Fialuer i Rii i Shcypes", Shkodër, 9 Janar 1908, i udhëhequr nga abat Doçi dhe hartuesit, sipas dëshmisë së d. Ndoc Nikajt, dëshmitar pjesëmarrës, qenë: Dom Dodë Koleci, dom Ndoc Nikaj dhe dom Mark Shllaku. Fjalori me germa latine, prej 538 faqesh dhe me afro 13614 fjalë (sipas Shefkije Islamaj), ishte një udhërrefyes i pa zëvendësueshëm për ngjarjen e ndodhur në Kongresin e Manastirit, më 14- 22 nëntor 1908, kur me pëlqimin e të gjithë anëtarëve të komisionit u vendos që populli shqiptarë, pas shumë shekujve të kishte alfabetin e vet unik."
( prof. As. Dr. Zef Gjeta “DUKAGJINI”)
2.4 DOM Nikollë SHLLAKU
Edhe ky i biri i Jak e Çile Shllaku, u lind në vitin 1878 në Shkodër. Gjoni, që u shkollua rregullisht si gjithë fëmijët e familjes së Jak Shllakut, shquhet veçanërisht për interesin ndaj pikturës e muzikës. Këto aftësi ndikuan gjithë veprimatrinë e tij gjatë jetës, qoftë atë të profesionit të marangozit që e arriti në nivelin më të lartë të kohës, jo vetëm si mjeshtër i përpunimit të drurit, apo si dizenjator e krijues i pashëmbullt i artizanatit e prodhimit të gjithë gamës së artikujve të drunjta: nga ato utilitare për shtëpi si dyer, driare, tavane e dysheme, në të cilat ishte mjeshtri më i padiskutueshëm, e deri tek orenditë e brëndëshme e mobiljet më moderne të kohës, ku konkuronte me dinjitet me mjeshtrat e tjerë si Cin Daija, apo Ndoc Kumrija, me të cilin ishte shok fëmijërije dhe kishte lidhje si kumar martese.
U martua me Çile Gjonej lindur më 1891 e bija e Shtjefen Gjonej, trashigimtar i njërës prej familjeve të larta tregtare të Shkodrës, dhurues të territorit ku u ndërtua Katedralja e Shkodrës. Edhe pse prej një ‘derë të madhe’ ajo ishte punëtore e zellëshme dhe merrej ndër të tjera me përpunimin e krimbit të mëndafshit e pelhurës, si dhe me kultivimin e prodhimin e parfumeve nga lulet.
Ato patën tetë fëmijë, prej të cilëve Klorinda, Vitorja, Maria, Ndoci dhe Aneta, patën jetën e gjatë. Ndoc Kumrija e Gjon Shllaku ishin repektivisht edhe kumarë të fëmijëve të njeri – tjetrit. Përveç kësaj, pasioni për muzikën i bashkonte këto dy mjeshtra me të tjerët, që mblidheshin e kalonin kohën e lirë duke interpretuar Ahengun që ato e njihnin me bazë, ose për të kënduar këngët e “Shtregullave” apo në rastet e gëzimeve edhe “Ritualin e Dasmës Shkodrane” që aq shumë frymëzoi dhe edukoi edhe fëmijët e tyre. Ndoci i binte klarinetes (kernetes) me vesh te cilën ja mësoi Ejll Çeka (virtuoz në klarinetë), Gjoni i binte violinës (qemales) dhe harmonios në mënyrë ma të moderueme e me nota muzikore, mesuar në shkollën françeskane. E mbi të gjitha, ato i bashkonte kanga popullore shkodrane që luhej e këndohej në dasma, fejesa, përvjetor, ndër pikniqe e në reste festash e tubimesh familiare.
Gjithë ky aktivitet kulture, ndikoi shumë në angazhimet e Gjonit jashtë kohës së punës, me të cilën mbante ekonominë e familjes me pesë fëmijët që kishin kërkesa të larta për jetesë e për shkollim; duke mos i lënë mungesa familjes, ai ishte një aktivist i jashtëzakonshëm, pjestar i Kongregacionit të “Zojës Nunciatë” gjithashtu, antar i Kryesisë së Shoqnise “Bogdani” dhe i Kryesisë së Shoqnisë Muzikore “Rozafat” ku ishte edhe antar i Orkestrës si violinist, po kështu në vazhdim edhe Ndoci - i biri.
Bashke më Ndoc Kumrinë punuan tavanin e Kishës Katedrale simbas projektit te Idromenos, sigurisht pjesen e drujte e butafori, ndërsa kallepët metalikë u realizuan nga Kel Guli – teneqexhi.
Tavani Katerdales |
“Hotel International” Tiranë |
Kantoria e kishës Stigmatine |
2.6 Jeta dhe karriera e Ndoc Shllakut.
Grupi i mandolinave i Shoqnia "Rozafat" |
Pader Filip Mazreku |
“...Në nji moment të tillë, nji shok prej grupit “Rozafat”, Ndoc Shllaku, violinist, e dinte se unë këndoja. Më afrohet e më propozon me këndue ndonji kangë. Me këtë orkestër unë kisha këndue ma parë. Njeni nga shokët e grupit tim më prezanton me emën: “Bik Ndoja, kangtar i Lagjes Rus i Vogël do të na këndojë dy kangë popullore: “Për mue paska kenë kismet” dhe “Dushe bore ket dashni”. Kangët shkuen aq bukur, sa që shkaktuen duertrokitje që nuk i prisja.Pra, këto raste më jepnin forcë, vullnet e dashni për t'u futë ma thellë në madhështinë e bukurinë e kangës tonë popullore shkodrane. Kanga filloi të bahet jeta ime, shkolla ime.E tham këtë se dashnia e madhe që kisha për kangën nuk m'u hoq kurrë, por erdhi gjithnji tue u shtue...”
Orkestra e këgëtarë të muzikës moderne Radio Shkodra |
Sipas dëshmive kjo bëhej për ta tërhequr në Tiranë si violinist e artist i shquar për të cilin kishin nevojë. Në fakt ai e kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblin Artistik të Ushtrisë (Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë), ku pati aktivitet solistik dhe si orkestrant deri në vitin 1952 kur u lirua, mbasi kishte familjen në Shkodër dhe dy prindët tashmë të plakur.
Kthehet në Shkodër dhe emërohet si referent për problemet e artit ne Seksionin e Kulturës së Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, ku largohet sipas kërkesës së tijmbas pak kohe kur vëndoset si nëpunës specialist i Folklorit të Rrethit pranë Shtëpisë së Kulturës nga data 1 Janar 1953, pranë institucionit ku Prenkë Jakova ishte përgjegjës i Seksionit të Muzikës
Ndërkohë që merret me organizimin e takimeve të para të Folklorit, për asnjë moment nuk ishe shkëputur nga aktiviteti i tij interpretues dhe ai krijues. Këtu përmendet aktivizimi (mbas ushtrisë), si instrumentist kryesor koncert-maester i Orkestrës Simfonike të formuar që në vitin 1951 nën drejtimin e Prenkë Jakovës, rrol të cilin e luajti gjithë jetën e tij artistike sa ishte gjallë Prenka, në vazhdim Gjon Kapidani, si dhe me Orkestrën e Filarmonisë së Shkodrës nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja.
Si koncert - maester apo spala e përherëshme, Ndoc Shllaku e orjentoi Orkestrën Simfonike të Shkodrës nga pulti i parë, gjithënjë me pjekuri, aftësi të lartë komunikuese e profesionalizëm, duke luajtur mjeshtrisht edhe pjesët solistike që i përkisnin atij rroli, me një tingull brilant, e bukuri të madhe interpretuese.
“...Nuk do ta harroj kurrë preokupimin e vazhdueshëm të Ndoc Shllakut, të këtij spala rigoroz dhe të kujdesshëm. Ishte i pari në prova që hapte sallën e orkestrës, duke ardhur rregullisht një orë përpara, një shembull vertetë ky i rrallë për mbështetjen profesionale të kolektivit të orkestrës… Ai bënte rregullisht p arapërgatitjet e duhura për të gjithë sektorët e orkestrës, Ndoci duke patur dhe ndigjim muzikor përfekt, i njohur në Shkodër gjithashtu dhe si specialisti më i mirë në akordimin e instrumenttit të pianofortes, preokupohej rrgullisht edhe për akordimin e orkestrës Me një përkushtim të plotë vrerifikonte çdo ditë partet e sejcilit orkestrant, legaturat, nuancst rnuzikore e çdo shënim që mjeshtri na linte si detyrë për të nesërmen. Ajo që binte rtë sy më shumë te ky instrumentist, e që e bënte me një cilësi profesionale, ishte dhe demonstrimi i tij si violinist në pasazhet e caktuara të operës…”
(Gjovalin Lazri – vilolonçlist “Figura të shquara të kombit tonë” fq. 57)
E la këtë rol të rëndësishëm si Spala dhe krejt aktivitetin e tij si instrumentist, në Koncertin e 25 vjetorit të Operës “Mrika” të kompozitorit Prenkë Jakova, mikut e bashkëpuntorit më të dashur e të pandashëm të jetës, ndërsa ai nuk jetonte më.
“… E vetmja familje në Shkodër që shkoja për të kaluar disa çaste të bukura, ishte ajo e Ndoc Shllakut, ishin si kushurinjtë e mi…. Edhe pse kishin problemet e veta, si çdo familje shqiptare në atë kohë, më ftonin shpesh që të shkoja tek ata. Kështu kisha një tjetër derë të hapur. E kujtoj përherë mikpritjen e tyre, bujarinë dhe dashurinë që përcillnin tek unë. Isha e mbyllur dhe e pafjalë. Tek ata çelesha, se ndjehesha si në shtëpinë time. .." (Terezina D. nxënëse Shkolla pedagogjike.)
2.7 Roli, vlerat dhe drejtimet e punës së Ndoc Shllakut.
Llazar Siliqi:“...Perfundoj këtë shkrim në kujtim të Ndoc Shllakut duke nënvizuar se ai ishte jo vetëm shok jete i Prenke Jakovës, por edhe këshilltari, nxitësi dhe përkrahesi i tij i vazhdueshëm, duke i dhënë gjithnjë zemer sa herë ndodhte që Prenka ndjente nevojën për nxitje dhe përkrahje vëllazërore, ndaj edhe e përsëris, se emrin e Ndoc Shllakut e bashkojmë përherë me emrin e të paharrueshmit Prenkë Jakova”.(“Në kujtim të Ndoc Shllaku” gazeta "Drita" 24 dhjetor 1995)
(Interviste Radio Tirana 1995)Ndoc Shllaku:“...Asht e vërtetë që unë kam kenë mik e dashamir, pothuaj si një vëlla për Prenkë Jakovën. Po kështu kam kenë edhe një lloj konsulenti. Ai ndoshta nuk kishte nevojën time, por… kishte besim, pse unë i thojshe gjithë ato që ndijshe, dhe ato që mund të kuptojshe…”.
“… Në shtëpi nuk kishte piano. Ku të punonte, ku të krijonte?!Ndoc Shllaku, njeriu i tij i afërt e ftoi në shtëpinë e vet. Prenka punonte në pianon e Ndocit kohë e pa kohë, sa herë që i vinte frymëzimi. Po cili frymëzim?! Sa fillonte punën, nuk e linin të qetë mendimet e trazuara për gjendjen e njerëzve të tij. Dilte prej shtëpisë së Ndocit e shkonte të shihte prindërit. Përpiqej t'i qetësonte, por vetë ngarkohej aq shumë…” (Isa Alibali në librin "Prenkë Jakova")
“Dasma Shkodrane” ishte një ide e përbashkët e Prenkës dhe Ndocit, që modifikuan sipas kërkesave të kohës fenomenin e vjetër të martesës së të rinjëve me shkusi, dhe mbasi ishte konsultuar si ide me regjizorin Andrea Skanjetin, u vu në skenë më 15 shtator 1947. Ky realizim, përmban në masë shumë të rëndësishme, kontributin e familjes Shllaku.
Ndërsa prëgatiteshin rrjeshtimet e ceremonialit, përzgjedhja e teksteve autentike, e deri tek realizimi skenik, çdo gjë diskutohej me të vjetrit e familjes Shllaku, ku edhe interpretuesja e rrolit kryesor të inskenimit ishte Aneta Shllaku (Nikaj) këngëtarja dhe aktorja më e re e familjes. Këngët u harmonizuan mjeshtrisht për kor nga Prenkë Jakova. “Dasma Shkodrane” u dha 12 herë në Shkodër, si dhe në turne për publikun në Tiranë e në Durrës. Si për ironi të fatit, pa pritur e pa kujtuar, Prenka arrestohet dhe burgoset me pretekstin se:
“… Nuk kishte asnjë shkak. Por preteksti u gjet: “Në kor ka elementë të padëshiruar për pushtetin, ata i ka mbledhur Prenkë Jakova, prandaj ai duhej dënuar”. Ishte kohë tepër e vështirë, kur arrestimet e njerëzve të ndershëm bëheshin pa gjë të keq. Prenka u fut në burg, ndërsa kori u shpërnda.” (Isa Alibali në librin "Prenkë Jakova")
Me shumë përpjekje dhe një mbështetjë të jashtëzakonëshme të gjithë dashamirësit e artit, (për hir të së vërtetës, edhe disa të njohur që ishin edhe pjesë e nomenklaturës politike komuniste të kohës), pasi u lirua, Prenka gradualisht u rikthye në vëndin që meritonte, e veçanërisht mbas veprimit muzikor “Dritë mbi Shqipni” ju hap rruga drejt realizimit të Operës së Parë Shqiptare “Mrika”.
Në çdo hap të krijimit të kësaj opere, Ndoci ishte i pranishëm me idetë e tija logjike dhe të frymëzuara: që nga titulli – “Mrika”;
Llazar Siliqi “...duke marre pjesë aktive në të gjitha fazat e përgatitjes së operas "Mrika". Bile, më kujtohet se kur diskutonim për operan , Ndoci qe i pari, që hodhi mendimin, që opera e Prenkes, libretin e së cilës e pata shkruar unë, të paraqitej shkurt e thjesht me emerin e heroinës së operas, me emrin e vajzës malesore "Mrika". Nuk i harroj kurrë edhe diskutimet që bënim vazhdimisht për libretin tjetër të opëras “Skënderbeu” që po e kompozonte Prenka. Verejtjet e Ndocit ishin për mua si libretist gjithnjë me interes, sepse ai ishte muzikant me shije, intuite e kulturë. Vete Prenka më pyeste shpesh: "ç'thotè Noci i dajës?" (“Në kujtim të Ndoc Shllaku” gazeta "Drita" 24 dhjetor 1995)
tek përzgjedhja që Prenka bënte elementëve të Folklorit të Mirdirës;
Isa Alibali:“… Prenkë Jakova e dëgjonte me një përqëndrim të çuditshëm, sepse donte t'i merrte gjithë thesarin e melodive të tij aq të bukura. Edhe Ndoci ishte tepër i përqëndruar. Ai kishte një vesh muzikor absolut, siç komentohej në gjirin e muzikantëve të Shkodrës. Prandaj jo më kot Prenka e merrte gjithkund me vete dhe konsultohej me të për shumë gjëra.(Isa Alibali libri “Prenkë Jakova”).
e deri tek rritja e forcës dramatike të operës me sugjerime për libretin;
Gjon Nd. Shllaku:“Baba Ndoc na tregonte se si i kishte sugjeruar libretistit Lazar Siliqi dhe Prenkës, zgjidhjen e konfliktit të dajës Gjin në opera, duke i dhënë atij rolin e heroit, dhe duke pasuruar kështu dramaturgjinë e saj, me një moment tragjik shumë të rëndësishëm.“Të vritet daja Gjin!” - i kishte thënë baba Ndoc, duke i mveshur atij karakterin heroik, duke e “shpëtruar” figurën e tij, nga një “endje e pa kuptimtë” në skenë, si një personazh fanatik i zakonit të fejesës në djep, që mund të krijonte “probleme” për kritikën e ngurtë të kohës së komunizmit.”
apo tek ideja e tij për të rikthyer Arien “Zot erdhën gjindja e huej” te “Juda Makabe”, në gojën e dajës Gjin -“O kob, o kob I zi”, me tekst të përshtatur mjeshtrisht në funksion të përmbajtjes së re nga Lazar Siliqi, meqë:
“...nuk do të mund të këndohet më me atë tekst si më parë, sepse ka subjekt Biblik, dhe ështe vepër e Fishtës.” - Nd. Shllaku
“ ...Lëvizja diletante do të mbeste gjithnji e tillë nëse nuk do të ngrihej në baza profesionale. Duhej nji shkollë muzike. Liceu Artistik në Tiranë kishte vite që ishte ngritë. Në Korçë, bile edhe Elbasan kishin fillue të hapeshin klasë muzike e Ndoc Shllaku, që ishte profesionist, nuk la derë pa trokitë për të hapë edhe në Shkodër nji shkollë të tillë. Ishte hera e parë që Ndoci shfrytëzonte “autoritetin” që i jepte fakti që kishte qenë në internim në Prishtinë…” Robert Prendushi
* * *
KAPITULLI III
3. Roli i Ndoc Shllakut si mësues i violinës dhe drejtues i Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova” 1961-1977 .Hapja e Shkollës së Muzikës në Shkodër, është arritje e madhe për kulturën shkodrane, ku shkodranët realizuan ëndrrat, shpresën e kahershme, projektuan të ardhmen e muzikës qytetare, dhe ruajtën traditën shumë të pasur në fushën e artit tmuzikor.
Më 17 janar të vitit 1961 për here të parë, u hap klasa e parë e muzikës në qytetin e Shkodrës. Gradualisht vit pas viti ajo mori përmasat e një shkolle që prej vitesh mban emrin e Prenkë Jakovës. Kjo shkollë ju dha mundësinë fëmijëve shkodranë që të studionin e të zhvillonin talentin e tyre, pa dallime sociale e fetare.
Në vitin e parë të hapjes së shkollës, studiohet në dy degë: atë të muzikës - violinë, pianofortë, dhe arsim i përgjithshëm. Mësuesit e parë të kësaj klase ishin Lajde Banushi mësuese për kulturën e përgjithshme, Ndoc Shllaku mësues i violinës dhe njëherit drejtues i saj, ndërsa për lëndën e pianos dhe solfezhit u emërua Gjon Kapidani.
Më 19 mars gazeta ‘’Drita’’ organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë shkruan:
‘’Mbas dreke shkolla "Ndre Mjeda" kthehet në shkollë muzike. S’ka vetëm dy muaj që ka filluar mësimi muzikorë, por të vegjlit kanë ecur shumë përpara. Çdo njeri mund të shijojë një orë muzikore në kët studio artistike në miniaturë’’ .
Në fund të vitit shkollor 1961-1962, me datë 24 qershor të 62-shit jepet Koncerti i pare artistik i Shkollës së Muzikës në Shkodër. Kjo shënon një arritje të madhe për shkollën, por njëkohësisht dhe për jetën artistike të qytetit të Shkodrës. Krahas dijeve në kulturën e përgjithshme dhe në specialitetet e muzikës, u krijuan Ansambli Koral i nxënësve drejtuar nga Gjon Kapidani, dhe Ansabli i Harqeve përgatitur nga Ndoc Shllaku e Gjovalin Xhanxhafili.
Një nga nënësit e parë të violinës Ridvan Karakaçi (Muzikolog) kujton se:
“Ndoc Shllaku nuk qe mësues i ftohtë apo pedant, përkundrazi ishte miqësor dhe i dashur me nxënësit, ishte një njeri me ndjenja të holla. Për kohën zotëronte një kulturë të gjërë artistike. Ishte natyrë e kthjellët, bujare e plot pasion. Por ai ishte dhe i zgjuar, i sinqertë në marrëdhënie me njerëzit, me pikëpamje serioze ndaj jetës dhe artit”.
Që në përzgjedhjen e femijëve të klasës së parë në vitin 1961, siç e përmenda pak më lart, Ndoc Shllaku manifestoi pjekuri, ndershmëri, seriozitet dhe aftësi profesinale. U përzgjodhën për klasën e parë të muzikës, 25 fëmijë shkodranë. Vetem nga kjo klasë e parë, pas 8 vitsh studime, 7 prej tyre do të vazhdonin studimet në Liceun Artistik ‘’Jordan Misja’’ në Tiranë, dhe 5 prej tyre do të përfundonin studimmet në Institutin e Lartë të Arteve Tiranë, në vitin 1976.
Violinistja e parë e shkolluar në institucionin që përmenda pak më lart, ishte Dorotea Miloti nxënëse e violinës që kishte mësuar në klasën e Ndoc Shllakut.
3.1 Roli i tij në vendosjen e programeve didaktike
Që nga klasa e parë dhe në vijimësi, Shkolla e Muzikës do të punonte dhe mësonte me programe të rregullta e të unifikuara në shkallë kombëtare, të miratuara nga Ministria e Arsimit Shqiptar, zbatimi i të cilave, ishin dhe do të mbesin në përgjegjësin e drejtuesit të saj. Në specialitetin e muzikës do të aplikoheshin metoda të përgatitjes teknike, nga më të njohurat që aplikoheshin në shkollat europiane si: Shradik, Radionov, per ciklin fillor, Kajzer, Dont i vogël, e Rode për ciklin e lartë 8-të vjeçares.
Edhe repertori artistike përzgjidhej nga muzika artistike koncertale europiane sipas niveleve të arritjeve tekniko muzikore si: Koncertet për violinë Riding, Zajs, Vivaldi - sol mazhor, e la mazhor, Bach Koncert - mi mazhor, Akolai, Beriot, Viotti nr. 22 - 23 e Mozart, Sonatat e Hendelit për violinë etj.
Edhe Muzika Kombëtare Shqiptare e kohës për violinë, do të bëhej pjesë integrale e repertorit artistik nëpërmjet veprave për viloine të Pjeter Gacit, miniatura, balada, koncerti për violinë; miniaturat për violinë të Albert Paparisto si dhe veprat e Nikolla Zaraqi etj. Përsëri sipas kujtimeve të Ridvan Karakaçi kujton se:
“Në aspektin pedagogjik, Ndoc Shllaku ishte i aftë dhe i zoti në repertorin teknik dhe artistik për të mësuar deri në klasën e 8-të. Shllaku lunate, demonstronte e kontretizonte në violinë para nxënësve të tij. Ishte violinsiti më i talentuar dhe i studiuar në Shkodër për kohën. Na tregonte se kishte studiuar për violinë, vetë për kursin e parë në Konservatorin ‘’Santa Cecilia’’ në Romë gjatë viteve 1942-1943, së bashku me Prenkë Jakovën dhe Çesk Zadejën. Për arsye të Luftës së Dytë Botërore u detyruan të kthehën pranë familjes”.
Na ka lënë mbresë të veçantë, tingulli i tij i butë, i ëmbël e i mbështetuar në një vibrato elegante dhe një teknikë të zhvilluar. Një gjë mbeti e pandryshuar tek Ndoc Shllaku si mësues, kujton Ridvan Karakaçi:
“ Ai synonte gjithnjë të zhvillonte nxënësit e tij nga pikpamja muzikale, artistike, dhe gjithnjë përpiqej të zhvillonte fantazinë e nxënësve me metafora të godituara, figura poetike me analogjira të natyrës, dhe jetës. Nuk ishin të pakuptimta dhe mjaft orë që ja kushtonte fëmijëve të këtij sektori me dëgjime muzikore, që organizonte pas orëve të mesimit të muzikes si: Mozart, Bethoven, Çajkovski, Mendelson apo me arie nga operistika Italiane, Maskanji, Verdi, Puccini. Ju shpjegonte edhe për jetën dhe veprimtarit e tyre muzikore”.
Pra siç duket ai insistonte të zhvillonte nxënësit, jo vetëm nga pikpamja muzikale por edhe nga ana morale e etike. Siç duket përsëri ai bën gjithçka që ishte e mundur për të transmetuar tek nxënësit dijet e tij të përvetësuara mirë, por edhe të jetuara dhe të pranuara.
Shumë interesante dhe me vlera njerëzore dhe artistike do të mbetet në kujtimet e nxënësve, momentet kur ai sillte ne klasë për të dëgjuar e biseduar me figura të shquara të artit shkodranë dhe kombëtar si: Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Tonin Harapi etj.
Pa humbur kohë, nxënësit e Shkollës së Muzikës do të bëhen pjesë e koncerteve artistike që zhvilloheshin në Shkodër, si soloistë apo orkestrantë të orkestrës që shoqëronte Festivalet lokale të fëmijëve, apo edhe ato kombëtare.
Kontributi i tij si mësues i violinës së bashku me mësuesit e parë të kësaj shkolle, si drejtues i saj per disa vite, qëndrojnë fort në themele të asaj tradite të shkëlqyer të Shkollës e Mesme Artitike “Prenkë Jakova”, në edukimin dhe formimin e talenteve të reja në Shkodër, apo edhe nga shumë qytete të Veriut të Shqipërisë.
KAPITULLI IV
4. Vlerësimi nga profesionistët e fushës.
Sa ishte gjallë, e në vazhdim gjithënjë Ndoc Shllaku ka arritur të marrë vlerësimin e fruteve të punës së tuj të përkushtuar. Të shumta janë mirënjohjet apo stimujt e gjithanëshëm dedikuar figurës së tij si qytetar, si mësues e instrumentist, si njeri i progresit e si krijues, e deri tek meritat patriotike të qëndrimit burrëror në periudhën e Luftës së 2-të Botërore.
Veçanërisht kolegët, ish-nxënësit e tij dhe autoritetet e ndryshme të artit e kulturës shqiptare, shprehen me respekt e vlerësime të larta si në shtyp apo në mediat e tjera të kohë sonë, prej të cilave janë nxjerrë, apo jënë marrë edhe opinionet në vazhdim.
Krahas shumë vlerësimeve për punën, përkushtimin e pashembullt profesional, Këshilli i Bashkisë Shkodër vëndosi t'i akordojë titullin "Qytetar nderi" z. Ndoc Shllaku, me motivacionin:
1. Si e vlersoni ju kontributin e dhënë të Ndoc shllakut në Shkollën e Artistike “Prenke Jakova”, si violinist Koncertmaestër i Orkestres Sinfonike, dhe i ansamblit të ndryshme këngës ?
2. Kur përmendet emeri i Ndoc Shllakut çfarë kujtimesh ju vijnë në mendje?
Tue marrë shkas nga nji përvjetori randësishëm, siç asht 50 vjetori i Shkollës së Muzikës në Shkodër, institucion që në pak ma shumë se në nji dekadë do ta vinte përsëri Shkodrën në nivelet e para kombëtare ndër rrethe, siç kishte qenë edhe para lufte, gjejmë rastin të vlerësojmë e nderojmë gjithë muzikantët e parë të Akademisë së pashpallun muzikore shkodrane, që përgaditen me përkushtim brezin tonë të pedagogëve të kësaj shkolle.
Në mes tyne shquhet mësuesi, kolegu e miku i paharruem Ndoc Shllaku, violinisti i mirënjohun, themeluesi i asaj shkolle, që sot mban emnin e kompozitorit të shquem Prenkë Jakova e që i dha përsëri za e nam Shkodrës në fushën e muzikës. Ndër të parët që Shkodra ja ndjeu zanin ishte edhe Ndoc Shllaku me violinën e vet në emisionet e para muzikore të Radio Shkodres. Nji brez i ri po rritej dhe ne, fëmijë, jo vetëm e ndigjonim ate në radio, por edhe kishim fatin ta kishim mësues muzike në shkollën unike, siç quhej atëherë shkolla 7 vjeçare. Për ne, që kishim fillue mësimet e para të violinës në Shtëpi të Pionerit.
Ma vonë me të pakursyemin, violinistin Z. Alimhilli, ato melodi që ndigjonim prej tij, na banin me andrrue se edhe ne do të luenim në atë instrument; ajo andërr konkrete, e arritshme. Por Ndoc Shllaku e Prenkë Jakova (të dy nxanës të kompoziotrit At . M. Gjoka), nuk ishin të knaqun vetëm me kurset që zhvilloheshin në Shtëpinë e Pionierit e në ate të Kulturës.
Lëvizja diletante do të mbeste gjithnji e tillë nëse nuk do të ngrihej në baza profesionale. Duhej nji shkollë muzike. Liceu Artistik në Tiranë kishte vite që ishte ngritë. Në Korçë, bile edhe Elbasan kishin fillue të hapeshin klasë muzike e Ndoc Shllaku, që ishte profesionist, nuk la derë pa trokitë për të hapë edhe në Shkodër nji shkollë të tillë. Ishte hera e parë që Ndoci shfrytëzonte “autoritetin” që i jepte fakti që kishte qenë në internim në Prishtinë…
Ma në fund në janar të vitit 1961 edhe në Shkodër drejtuesi Ndoc Shllaku (violinë), Gjon Kapidani (piano e solfezh) dhe mësuesja Lajde Banushi, paten nderin e fatin të nisin nji udhëtim që e bani Shkodren e fëmijët e saj të andrronin t’i binin violinës si zotni Ndoci e pianfortës, si i riu i talentuem Gjon Kapidani (ma vonë kompozitor njohun).
Filluen të vijnë vocrrakë e vocrrake nga të gjitha lagjet e qytetit kaq të hapun të Shkodres. Në sytë e prindve, me kluturë e profesione të ndryshme, ishte lehtë të dalloje gëzimin që fëmijtë e tyne kishin gjetë prind të dytë ndër mësuesit e tyne. Harmonia e madhe që kultivoi Nd. Shllaku edhe me kolegët e vet, tue dhanë vetë shembullin “si i barabartë” me ta (edhe pse mjaft prej tyne, tashma, kishin qenë nxanës të tij), mbetet ndoshta pasunia ma e madhe që i la këti institucioni të muzikës, që nuk mund të jetonte pa harmoni… Mjafton të përmendim “nji ves” të tij: ai nuk mund të ndigjonte pianofortë të pa akordueme. Për katër dekada të gjithë pianofortet e qytetit (shumica e të cilave “jo të reja”, për të përdorë nji eufemizëm) janë akordue pa asnji shperblim nga Ndoc Shllaku.
Ajo mungesë e theksueme sidomos e pianoforteve për studim, kishte ba që disa nxanës, edhe pse të talentuem, kishin mbetë relativisht mbrapa me programin mësimor. Kështu kishte ndodhë edhe me ndonji violinist që, për arsye thjeshtë fiziologjike, nuk kishte agjilitetin e domosdoshem, ndaj dhe vazhdimi i studimit në instrumentin që kishin nisë do të ishte i pafrutshem.Nd. Shllaku me inisiativë vendosë t’i japë atyne edhe në kl. VI e VII instrumentin e frymës. Në fakt, simbas praktikës, që ishte edhe rregull në atë kohë, studimi i instrumentit të frymës, fillonte vetem në shkollën e mesme.
Shkolla ndërroi katër ambiente gjatë viteve 1961 deri në vitin 1972, deri sa u vendos të ndërtohej një shkollë e re. Nuk di nëse e kam falenderue sa duhet, kur ishte mes nesh, Ndoc Shllakun, mësuesin, drejtorin e mikun tim, për ndihmën që ai më dha kur më emnuen drejtor të shkollës së mesme të muzikës. Ishte hera e parë që nxanësit e mësuesit shpresonin se do të banin mësimin e kulturës së përgjithëshme dhe ate artistike në të njajtin ambjent. Por shkolla, si ndertesë, nuk ishte ende. Korça e Elbasani e kishin shkollene tyne të muzikës, Shkodra jo (!) Pra duhej mendue mirë se si do të ishte ajo shkollë.
Në Nandor të vitit 1974, në konkursin e shpallun nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës për shkollat e muzikës, përfshi Liceun Artistik. Shkolla jonë (që ende nuk e kishte marrë emnin që meritonte, “P. Jakova”), fitoi flamurin. Ishte nji sodisfaksion i madh për të gjithë ne, aq ma shumë për Ndoc Shllakun, mësuesin e drejtorin e parë të asaj andrre të bukur shkodrane që asht edhe sot Shkolla Kombëtare Artistike “Prenkë Jakova”.
2. Kur ndigjoj emnin e Ndoc Shllakut... Kur flitet për zhvillimin e muzikës në Shkodër, sidomos mbas Luftës së Dytë, emni i Ndoc Shllakut asht aty ,si pjesë përbase e protogonist i atij zhvillimi. Personalisht më duket se Ndoc Shllakun e kam njohtë gjithnji.
Kam
pasë fatin me e pasë edhe mësues muzike. Ishte bukuria e tingujve
të violinës së tij, që vinte në heshtje klasën, ishte ajo magji
e tingujve që më bani të filloj të mësoj edhe unë violinë. Por
çudija ma madhe asht se unë e mbaj mend Ndoc Shllakun gjithmonë
njilloj në mardhanient me mue e me të tjerët. E pra e kam njohtë
në të gjithë pozicionet që mund të ketë njohja dhe puna. Pra e
kam pasë mësues, e kam pasë shok pune, e kam pasë edhe drejtues,
por e kam pasë edhe mësues, kur isha unë drejtor. Ndoci ishte
njilloj, pse ashtu ishte i formuem. Ashtu e kishte formue jeta.
Ai vertetë i binte violionës, vertetë kishte shkue për studime në Konservatorin Santa Cecilia në Romë. Por kishte pa dhe Luftën. Kishte provue internimin në Prishtinë, por kishte mbajtë me dinjitet axhën e tij prift në shtëpi, kur kjo ishte ma sa komprometuese. Nuk njoh njeri që të kishte ndonji hatermbetje prej tij. Nuk kam ndigjue kurrë që Ndoc Shllaku t’i jetë servilosë ndokujt. Këte mendoj kur përmendet emni i Ndoc Shllakut, muzikantit e violinistit të talentuem.
4.2. Llazar Siliqi
In memoriam.
...Ndoc Shllaku qe oganizator i veprimtarive muzikore si shef i kulturës në vitet 1945 - 1946 si dhe duke u aktivizuar në Orkestrinën e Shtepisë së Kulturës të Shkodrës dhe të Radio Shkodres, si dhe në Orkestrën Simfonike të Ushtrise dhe të Orkestrës Simfonike të Shtëpisë së Kulturës të Shkodrës si violinë spala, nën drejtimin e Prenkë Jakovës, duke marrë pjesë aktive në të gjitha fazat e përgatitjes së operas “Mrika”. Bile, më kujtohet se kur diskutonim për operan, Ndoci qe i pari që hodhi mendimin që opera e Prenkës, libretin e së ciles e pata shkruar unë, të paraqitej shkurt e thjesht me emerin e heroinës së operas, me emrin e vajzës malësore Mrukë. Nuk i harroj kurrë edhe diskutimet që bënim vazhdimisht për libretin tjetër të operas “Skënderbeu” që po e kompozonte Prenka. Verejtjet e Ndocit ishin për mua si libretist, gjithnjë me interes, sepse ai ishte muzikant me shije, intuite e kulturë. Vetë Prenka me pyeste shpesh: “ç’thotë Ndoci i dajes?
...Ndoc Shllaku, qysh fëmijë u rrit me ahengun shkodran që e ka njohur si rrallëkush. Ndaj siç më rrëfente këto dite miku i Ndocit, Tish Daja - “...sa herë që ne kompozitorët e Shkodrës krijonim diçka me frymë popullore, e ndjenim nevojën të këshilloheshim me Ndocin, të sigurte se do të gjenim sugjerime e ndihmë krijuese, sepse ai e njihte krijmtarinë popullore aq mire dhe madje, me interpretimin që u bënte këngëve tona, ndihmonte në kolaudimin dhe pasurimin e tyre, siç ka ndodhur me këngë të tilla të njohura si “Kënga e krushqve” ( T. Daija), “Gruni i ri” (P. Jakova), “Doli nana në çardak” (Ç.Zadeja) apo “Luleborë” (S.Gjoni)...”.
Miku e bashkëpuntori im Tish Daija më rrëfente edhe se i kujtohej koha kur në 1946 Shtëpia e Kulturës së Shkodrës përgatiste Koncertin me rastin e Kongresit II të Rinisë me një orkestër xhazi në të cilin violinist i parë ishte Ndoc Shllaku, u përgatit Koncerti me këngë të reja të kompozitorëve shkodranë P. Jakova, Ndoc Shllaku, T. Daija, Ç. Zadeja, S. Gjoni, T. Rrota etj. të cilët ishin edhe vetë pjesmarrës në formacion orkestral në të cilin bënin pjesë edhe dy muzikantë italiane. Koncerti pati shumë sukses kur u dha në Tiranë.
Këtë shkrim, si kujtim të mikut tim Ndoc ShIlaku e shkruaj duke e bashkuar siç e meriton, me emrin e Prenkë Jakovës, njërit prej kompozitorëve tanë të mëdhenj, duke filluar nga Palokë Kurti, Patër Martin Gjoka, Dom Mikel Koliqi - kardinali yne i sotëm, duke kaluar te plejada e bashkëqytetarëve të shquar Tonin Harapi, Tish Daija e Çesk Zadeja dhe te kompozitorët gjithashtu të shquar si Nikolla Zoraqi e Feim lbrahimi, te cilët të gjithë vunë gurë themeli në godinën e muzikës shqiptare.
... E përfundoj këtë shkrim në kujtim të Ndoc Shllakut duke nënvizuar se ai ishte jo vetëm shok jete i Prenkë Jakovës, por edhe këshilltari, nxitësi dhe përkrahësi i tij i vazhdueshëm, duke i dhënë gjithnjë zemër sa herë ndodhte që Prenka ndjente nevojën për nxitje dhe përkrahje vëllazërore. Ndaj edhe e përsëris se emrin e Ndoc Shllakut, e bashkojmë përherë me emrin e të paharrueshmit Prenkë Jakova.’’ Llazar Siliqi “Në kujtim të Ndoc Shllakut” Dhjetor 1995 .
4.3 Marita Zimmermann Geb Vuksani ish Nëndrejtoreshë e Shkollës Artistike “Prenkë Jakova”
“...Ndoc Shllaku dhe gjithë familja e tij kanë qenë të tërë të lidhur ngushtë me muzikën. Edhe bashkeshortja e tij e ndjera Margerita, bënte pjesë në Korin e Shtëpisë së Kultures të Shkodrës, ndërkaq dy vajzat e tij KIaudia e Çeçilia vazhduan shkollën artistike për violinë e për piano, kurse më i talentuari i fëmijëve, djali i tij Gjoni, kreu studimet në Konservatorin e Tiranës (ILA), duke paraqitur si temë diplome muzikën e baletit të vet “Nuse Arbana”. Madje edhe nipi i tij Eugjeni, vazhdon siudimet pikërisht për violinë në Konservatorin e Mantovës në Itali, kurse motra e Ndocit Neta, ka qenë këngëtarja që interpretoi e para rolin e nënës Marë të operas së parë shqiptare “Mrika” të Prenkë Jakovës…)
“... Aneta përsëri kujton e rrëfen: “Nuk e di se si ta shpjegoj, 17 vjet pa dalë në skenë. 17 vjet e shkëputur nga jeta muzikore. Unë që e dashuroja gjer në shpirt muzikën… Ja, pas pak do të dilja, përsëri, në skenë. M’u duk vetja e njohur dhe e panjohur njëkohësisht. Më vërshuan kujtimet, emocionet… Isha e vetme mexosoprane. Nuk kisha dublante. Kisha punuar shumë, shumë… Më dridhej zemra, kur dëgjoja muzikë. isha si e etur. S’ngopesha… Përmallohesha, humbisja… Më dukej vetja sikur rendja në hapësirë, në një hapësirë pa kufi… Ndoshta nga që më kishte marrë malli për këngën e skenën…” Xhahid Bushati
5.1 Margerita Shllaku.
Përveç të tjerave, Zoti i kishte dhënë një pamje fisnike dhe një komunikim të jashtëzakonshëm, falë të cilave ajo vlerëhej prej nxënësve të saj, e më gjërë si “Zojushë kokona”.
Më i vogli i fëmijëve i lindur në 1960 në qytetin e Shkodrës në një familje me tradita muzikore, që në heret i përkushtohet studimeve për piano, instrument në të cilin diplomohet në Shkollen e Mesme Artistike “Prenkë Jakova” të këtij qyteti (1979). Në vazhdim studion për kompozicion në Universitetin e Arteve – Tiranë, ku diplomohet (1984) nën drejtimin e Prof. Çesk Zadeja, duke realizuar me sukses baletin “Nuse Arbana”.
Prej shumë vitesh zhvillon aktivitetin e tij profesional si mësues i lëndeve të Harmonisë e të Analizës së Formës pranë Shkollë së Mesme Artistike “Prenkë Jakova”, ku ka kryer edhe detyrën drejtuesit të Sektorit të Lëndeve Teorike. Aktivizohet si pedagog i jashtëm në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër në Fakultetin Shkencave të Edukumit.
Si kompozitor ka shkruar vepra vokale dhe instrumentale mes të cilave: Uverturë për Orkestër, Fantazi për Violinë e Orkestër, Divertisment për solitë e orkestër, Operetë, muzikë për femijë etj.
Ne te njejten kohe zhvillon edhe aktivitet koncertal, kryesisht si koncertmaëster, me solistë dhe këngëtarë të shquar shqiptarë. Për shumë vite si antar i Orkestrēs Filarmonike Shkodër është aktivizuar si timpanist.
Në rolin e dirigjentit, me parë ka drejtuar Korin e Katedrales – Shkodër. Që nga viti 1997 e në vazhdim është i angazhuar pranë Korit Polifonik “Prenkë Jakova”, të cilin e ka krijuar vetë.