martedì 24 agosto 2021

NDOC SHLLAKU - Roli i tij në arsim dhe në muzikën shkodrane.



Ky materiali, është pjesë e punimit të diplomës të z. Ardian Kodra, në programin
"Master Profesional" pranë Universitetit të Arteve Tiranë - Qershor 2021



Ndoc Shllaku  
Roli i tij në arsim dhe në muzikën shkodrane



KAPITULLI 2

FAMILJA SHLLAKU


2. Origjina.

Origjina e herëshme e familjes Shllaku lidhet me prejardhjen e Bajrakut të Shllakut, me njerën prej katër vëllaznive të saj (Kurasanaj, Alipepaj, Haxhijaj e Lacej), pikërisht me fisin Gegaj, prej të cilëve ishte edhe shtëpia e Daut Shllakut në Vukatanë (njëra prej dy degëve të familjes Shllaku, e konvertuar në besimin mysliman) të ardhur prej kohësh nga Kuçi i Malit të Zi në Shllak.

Disa hollësi rreth origjinës së fisit Gegaj gjënden në dokumente të ndryshme të arkivave si në Muzeun Kombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, apo të studiuesve Edith Durham, Baron Nopcsa, Milorad Ekmecic  e tjerë, ku spjegohet se fisi historik Shllaku (Scelacu) është i lidhur me fisin e Toplanës, të cilët vijnë në këtë zonë (shqiptare) fillimisht rreth vitit 1450 nga territori i gjërë ku jetonte fisi Vasojevići në Malin e Zi, i cili historikisht përfshinte disa fise të besimit kristian ortodoks dhe katolik.

Sipas shumë të dhënave Nopcsa arrin në konkluzionin se në një periudhë të papërcaktuar, rreth viteve 1450 fisi i Vasojevići-t me prejardhje shqiptare (themeluar nga Vaso, që gjurmohet të jetë me origjinë nga Shqipëria Qëndrore), për arsye mosmarrëveshtjesh fetare dhe arsye gjaqesh, drejtoi drejt jugut grupin stërgjyshëror Toplana, i cili u vëndos që atë kohë në vëndin aktual të zonës së Toplanës.
Përsëri sipas Baronit Nopcsa, themeluesi i fisit të Gegajve të Shllakut ishte një kristian ortodoks i quajtur Can Gabeti (ndryshe edhe Xan Kabeti) prej të cilit át Gjon Karma – jezuit ka spjeguar trashigiminë sipas barqeve.

“… Qe barget: Mark Sokoli, Sokol Marashi, Marash Pali, Pál Ndou, Ndue Haxhija, Haxhi Gega, Geg Jaku, Ják Gjergji, Gjergj Xâja, Xân Kabeti: i mbrami ardhë prej Kuqi në Shllak.” (“Ndër malet tona” kërkime të át Gjon Karmës S.J. ndër male të veriut. fq. 220)
Kur át Gjon Karma shprehet: ”…kësish asht shpija e Daut Shllakut në Vukatanë…” - Më vonë ato pronësohen në Shkodër: ”...Në mes (Fushë Çelë) ka kenë xhamija e vogël e lagjes, me minare drrase dhe ma sipër sajë një mulli uji që e kanë pasë shfrytëzue Shllakejt e Vukatanës" (Dokumenta Myftinia Shkodër) shprehet pikërisht për njerën prej dy degëve të fisit Shllaku, nga ku rrjell familja e Ndoc Shllakut.

2.1 Traditat

Pamvarsisht se në rrjellën e shekujve familja Shllaku orjentohet në dy degë të ndryshme besimi, prej të cilave rrjedhin kushte të ndryshme të jetës e të përkrahjes prej pushtetit otoman të kohës, në thelbin e vet familja ruan pa dallim, disa virtyte e karakteristika të përbashkëta fisnike në vazhdimsi të traditës.
Nisur edhe nga përcaktimi i prerë i At Gjon Karmës në botimin “Ndër malet tona” (citim): “Lagja, e Gegaj dahet në shêj nẽ të tânë Bajrakun e Shllakut per burrní e trimní…” tregon pa nevojën e shumë komenteve karakterin e vërtetë të fisit, por që plotësohet me të tjëra karakteristika në një këkim të shpejtë të veprimtarive të tij në shekuj.
Së pari, karakteri intelektual, shoqëror e administrativ i pjestarëve të dy degëve të familjes Shllaku, ku përmendet nga njëra anë Daut Shllaku, Sulë Shllaku si personalitet të njohura në za për urtësi e fisnikëri, apo Dom Ndue Shllaku, Dom Mark Shllaku e Dom Nikoll Shllaku gjithashtu Gjon Jak Shllaku, për shkollimin e tyre të plotë e të orjentuar jo vetëm në aspektin fetar, por mbi të gjitha patriotik e atë shoqëror, të rrallë për kushtet e kohën kur jetuan e zhvilluan veprimtarinë e tyre të gjithanëshme.
Së dyti, aspekti kulturor e artistik e pjestarëve të fisit Shllaku pa dallim nga degët e familjes, ku spikat fusha e muzikës si një vazhdimsi e historike e traditës, por njëkohësisht sdhe si fillesë e muzikës së Ahengut me tipare orjentale, që vinte bashkë me kulturën e një pushtimi shumë të gjatë nga Porta e Lartë. Në shumë dokumenta të kohës, si edhe më vonë në studimet e muzikologëve të kohës në vazhdim, bie në sy figura e Mehmet Shllakut (prej Vukatanës) që ësht pjestar i fisit Shllaku dhe përshkruhet kështu: 
“… Oborri i Bushatlinjve, që nga 1800 kishte filluar të pajtonte edhe ahengxhijtë vendas. Grupi i parë është ai i Mehmet Shllakut nga Vukatana. Kjo periudhë është e lidhur tërësisht me përhapjen e këngës turke. Edhe instrumentet që luanin ahengxhijtë janë të huazuar nga muzika turke, si sazja, qemane (violinë), dajre…” Gjithashtu përmendet edhe Sul Shllaku: “...Kanë qenë sazexhinj apo të zot të tambures në aheng dhe më vonë në orkestra të ndryshme dhe janë: Mehmet Shllaku, Simoni i Mark Ketës, Ndrek Vogli, Mani i Zigos, Nush Pali, Shan Koleka, Balto Luka, Pjetër Tafili, Shuk Kovaçi, Gega i Mark Gegës, Sul Shllaku etj.”      
            ( Ridvan Karakaçi "Karakteristikat e Ahengut Shkodran").
Për një njohje të shpejtë, jo shumë të detajuar (mbështetur në Arkivin Peronal të Familjes Shllaku) po rendisim disa nga eksponentët kryesor të kësaj dege të Familjes, prej nga trashëgon muzikanti Ndoc Gjon Shllaku.
Nisur nga një dorëshkrim personal i Ndocit dhe shënime të tjera, arrijmë në konkluzionin se një ndër individët më të rëndësishëm të familjes ishte Dom Ndue Shllaku.                           

 2.2 DOM Ndue SHLLAKU

I lindur në vitin 1829 në Shkodër nga Pjetër e Tereza Shllaku, ishte me i madhi i fëmijëvë. 

Pema e familjes ndërtuar nga Ndoc Shllaku

Sipas traditës së familjes, ai që në moshë të rë mori  edukimin fetar dhe në vëndosjen e Gurit të Parë të  Katedrales së Shkodrës ai i shte 29 vjeç mbasi kishte mbaruar studimet në Austri (?) e shuguruar si prift katolik.
Kryen shëbimin e tij në Kishën e Shkrelit ku    shërben  si famullitar dhe ndihmës për këto vite:     
   
 21.2.1849 D, Ndue Shllaku         Shkodër    8.2.1850  
 
23.2.1849 D. Pashk Klari (Nd)                15.2.1850
 
 17.2.1857 D. Ndue Shllaku         Shkodër  14.2.1858
 
 24.2.1857 D. Mati Radovani (Nd) Shirokë 31.1.1858
 
 27.2.1858 D. Gjon Spathari              ?        15.8.1858
 
 16.3.1858 D. Ndue Shllaku (Nd) Shkodër  15.8.1858
 
 15.8.1858 D, Ndue Shllaku         Shkodër   17.2.1862

Duke qenë një ndër kundërshtarët e pushtimit shekullor otoman, si dhe i papajtueshëm me synimet shoviniste të Malit të Zi, ai u bë një ndër organizatorët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilluar 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, në të cilët do të vinin përfaqsues nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Aktiviteti i tij patriotik u hetua nga Krajl Nikolla, i cili duke e njohur si kundërshtar kryesor të planeve grabitqare të tij, e helmoi Dom Ndue Shllaku pabesisht në Cetinë. Mbyll jetën kështu në moshë të re, një prej burrave të mendëshëm të kombit tonë, kleriku, intelektuali dhe patrioti Dom Ndue Shllaku, i vlerësuar për meritat e tija si nga Porta e Lartë ashtu edhe nga Perandoria Austro-Hungareze me medalje të larta nderi.

 

* * *


2.3 DOM Mark SHLLAKU


         

I biri i Jak dhe Çile Shllakut, ka lindur në Shkodër në vitin 1855. Mësimet e para dhe të
mesme i bëri në Rraguzë me rezultate të shkëlqyera, ndërsa të lartat ne Propaganda Fide në Romë.
Meshën e parë e thotë me 1881, dhe ishte i lejuar të celebronte Meshë në çdo kishë të Qytetit të ShejtëKa filluar detyrën si famullitar, në fshatrat: Velipojë, Rrenc, Beltojë e se fundi në Obot, duke shërbyer kështu për afro 60 vjet. Falë përkushtimit të tij dhe aftësive të veçanta, ka zotëruar 11 gjuhë të huaja dhe ka patur katër doktorata: në Filozofi, Teologji, Avokaturë dhe Elokuencë. Ka gëzuar titullin Monsinjor. Dom Mark Shllaku është bashkëthemelues i Shoqërisë “Bashkimi”, me At Gjergj Fishtën, Imzot Jak Serreqin, Imzot Lazer Mjeden, Imzot Dod Kolecin, Dom Ndoc Nikajn, At Pashk Bardhin. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit për Alfabetin e Gjuhës Shqipe dhe është bashkëautor i "Fjalorit të Ri të Gjuhës Shqipe", vepra e parë e shoqerisë “Bashkimi” (9 janar 1908).                 

"...Vepra e parë dhe themeltare që doli nga shoqëria " Bashkimi", qe "Fialuer i Rii i Shcypes", Shkodër, 9 Janar 1908, i udhëhequr nga abat Doçi dhe hartuesit, sipas dëshmisë së d. Ndoc Nikajt, dëshmitar pjesëmarrës, qenë: Dom Dodë Koleci, dom Ndoc Nikaj dhe dom Mark Shllaku. Fjalori me germa latine, prej 538 faqesh dhe me afro 13614 fjalë (sipas Shefkije Islamaj), ishte një udhërrefyes i pa zëvendësueshëm për ngjarjen e ndodhur në Kongresin e Manastirit, më 14- 22 nëntor 1908, kur me pëlqimin e të gjithë anëtarëve të komisionit u vendos që populli shqiptarë, pas shumë shekujve të kishte alfabetin e vet unik."   

( prof. As. Dr. Zef Gjeta “DUKAGJINI”)

 

Ishte bashkëpunëtor me politikanët e demokracisë së kohës, mik i afërt me Luigj Gurakuqin. Redaktor e kryeredaktori i shumë gazetave opozitare periodike si “Taraboshi” etj. Ka shkruar në revistat prestigjoze si “L’Osservatore Romano”, “Albania” etj. gjithmonë me pseudonime si psh. “Romak Kësula” apo “Bash…. Alban” etj. Eshtë arrestuar në vitin 1948 dhe është dënuar me 6 vjet burgim me motivacionin: “Veprimtari për përmbysje të pushtetit popullor”, “Lidhje me Vatikanin”. Kjo gja i bahej kur ai ishte në moshën 83 vjeç.

“...Ndoc Shllaku vazhdoi edhe rrugën e xhaxhait të vet Dom Mark Shllaku, i cili kish marrë pjesë në Kongresin e Manastinit për Alfabetin e gjuhës shqipe. Për të nxjerrë në dritë figurën e xhaxhait, Ndoci pati dorëzuar në Arkivin e Shtetit korrespondencën e Dom Markut me Dora d'Istria, por këto dokumente nuk ju kthyon më dhe fati 1 tyre nuk dihet, gjë që Ndocin e pati dëshpëruar, aq më tepër, që më vonë, më 1948, Dom Marku në moshën 85 vjeçare pati qenë arrestuar, dhe pasi qëndroi një vit në qeli, atë e lanë të lirë dhe e kthyen si të çmendur, dhe për ta fyer, e përcollën den në shtëpi të hipur mbi një gomar…”      (Llazar Siliqi “NE KUJTIM TE NDOC SHLLAKUT” “DRITA” 1995)
Në hetuesi ka qëndruar 11 muaj, mbasi është liruar, ka vdekur e vitin 1951 në moshen 86 vjeç     

* * *

2.4 DOM Nikollë SHLLAKU

 



Ishte më i vogli i fëmijëve të Jak dhe Çile Shllakut, ka lindur në Shkodër në vitin 1886. Mësimet e para dhe deri të Lartat i kreu në Propaganda Fide - Romë. Meshën e Parë e ka mbajtur në vitin 1901.                   
Ka shërbye në famullitë e Trushit, Shirokës, Daiçit të Bregut të Bunës (Obot) dhe Beltojës. Në të gjithë vëndet ku shërbeu, ka punuar me devocion e përkushtim të lartë, duke përhapur krahas besimit edhe kulturë, duke përmirsuar marrdhëniet ndërmjet besimtarëve. Kishte aftësinë dhe ishte i pranuar nga kisha si Ezorcist.
Gjithashtu, falë aftësive të rralla të të kënduarit dhe njohjes së instrumentit të fizarmonikës, ishte i përzgjedhur në këndimin e Psalmeve dhe Litanive ndër fesat e medha të vitit, kur ftohej në Katdralen e Shkodrës. Eshtë arrestuar padrejtësisht me 1946 dhe është dënuar për 6 muaj, me motivacionin agjitacion e propagandën. Pasi ka dalë nga burgu, është arrestuar përsëri për herë te dytë ne vitin 1947, kësaj herë duke u dënuar me 1 vit, të cilin edhe e ka vuajtur. Pas lirimit ka vazhduar të shërbejë në Beltojë deri në mbylljen e kishës, në vitin 1967, por përgjithmonë meshtar shembullor.


Dom Nikoll Shllaku ndërroi jetë ditën e emrit të tij me 5 dhjetor 1967, duke patur pranë edhe pse në kohë të vështira, gjithë perkrahjen e dashurinë e njerëzve të afërt të Familjes Shllaku.

* * *
2.5 Gjon Jak SHLLAKU

Edhe ky i biri i Jak e Çile Shllaku, u lind në vitin 1878 në Shkodër. Gjoni, që u shkollua rregullisht si gjithë fëmijët e familjes së Jak Shllakut, shquhet veçanërisht për interesin ndaj pikturës e muzikës.        Këto aftësi ndikuan gjithë veprimatrinë e tij gjatë jetës, qoftë atë të profesionit të marangozit që e arriti në nivelin më të lartë të kohës, jo vetëm si mjeshtër i përpunimit të drurit, apo si dizenjator e krijues i pashëmbullt i artizanatit e prodhimit të gjithë gamës së artikujve të drunjta: nga ato utilitare për shtëpi si dyer, driare, tavane e dysheme, në të cilat ishte mjeshtri më i padiskutueshëm, e deri tek orenditë e brëndëshme e mobiljet më moderne të kohës, ku konkuronte me dinjitet me mjeshtrat e tjerë si Cin Daija, apo  Ndoc Kumrija,  me të cilin ishte shok fëmijërije dhe kishte lidhje si kumar martese.  

U martua me Çile Gjonej lindur më 1891 e bija e Shtjefen Gjonej, trashigimtar i njërës prej familjeve të larta tregtare të Shkodrës, dhurues të territorit ku u ndërtua Katedralja e Shkodrës. Edhe pse prej një ‘derë të madhe’ ajo ishte punëtore e zellëshme dhe merrej ndër të tjera me përpunimin e krimbit të mëndafshit e pelhurës, si dhe me kultivimin e prodhimin e parfumeve nga lulet.
Ato patën tetë fëmijë, prej të cilëve Klorinda, Vitorja, Maria, Ndoci dhe Aneta, patën jetën e gjatë. Ndoc Kumrija e Gjon Shllaku ishin repektivisht edhe kumarë të fëmijëve të njeri – tjetrit. Përveç kësaj, pasioni për muzikën i bashkonte këto dy mjeshtra me të tjerët, që mblidheshin e kalonin kohën e lirë duke interpretuar Ahengun që ato e njihnin me bazë, ose për të kënduar këngët e “Shtregullave” apo në rastet e gëzimeve edhe “Ritualin e Dasmës Shkodrane” që aq shumë frymëzoi dhe edukoi edhe fëmijët e tyre. Ndoci i binte klarinetes (kernetes) me vesh te cilën ja mësoi Ejll Çeka (virtuoz në klarinetë), Gjoni i binte violinës (qemales) dhe harmonios në mënyrë ma të moderueme e me nota muzikore, mesuar në shkollën françeskane. E mbi të gjitha, ato i bashkonte kanga popullore shkodrane që luhej e këndohej në dasma, fejesa, përvjetor, ndër pikniqe e në reste festash e tubimesh familiare.                                             

Gjithë ky aktivitet kulture, ndikoi shumë në angazhimet e Gjonit jashtë kohës së punës, me të cilën mbante ekonominë e familjes me pesë fëmijët që kishin kërkesa të larta për jetesë e për shkollim; duke mos i lënë mungesa familjes, ai ishte një aktivist i jashtëzakonshëm, pjestar i Kongregacionit të “Zojës Nunciatë” gjithashtu, antar i Kryesisë së Shoqnise “Bogdani” dhe i KryesisëShoqnisë Muzikore “Rozafat” ku ishte edhe antar i Orkestrës si violinist, po kështu në vazhdim edhe Ndoci -  i biri.                                                           

Bashke më Ndoc Kumrinë punuan tavanin e Kishës Katedrale simbas projektit te Idromenos, sigurisht pjesen e drujte e butafori, ndërsa kallepët metalikë u realizuan nga Kel Guli – teneqexhi. 


Konkursin e Parë të Artizanatit në kohën e Mbretërisë, me një punim në dru, mori çmimin e dytë në Shqipëri; gjithashtu dizenjoi dhe realizoi tavanin dhe kantorinë e Kishës së Motrave Stigmatine Gjuhadol, sikurse realizoi punimin e plotë të pjesëve të drurit të “Hotel International” Tiranë etj.


Tavani Katerdales
     
             
“Hotel International” Tiranë


Kantoria e kishës Stigmatine
   

           

Punimi i çmimit të dytë
Diplomë Nderi














* * *

2.6 Jeta dhe karriera e Ndoc Shllakut.


Ndoc Shllaku lindi me 15 Dhjetor të vitit 1919 në Shkodër, ishte fëmija i shtatë i Gjon dhe Çile Shllakut, djali i vetëm dhe trashëgimtari i kësaj familje. Që në vogli, i rrethuar prej përkujdesjes prindërore e dashurisë së pjestarëve të familjes që ndikuan në natyrën e tij të qetë e tepër shoqërore gjatë gjithë jetës, ai shfaqi interes për muzikën, pikturën e më vonë edhe për letërsinë.       

                                      

Shtëpia ku jetonte familja Shllaku, në një nga lagjet më të hërëshme të pjesës së re të qytetit – Gjohadol, ndonse me muret e larta për siguri ndaj të kqijave të kohës, kombonte nga zërat e bukur që këndonin meloditë e ëmbla të “shtregullave”; po ashtu në rrugicën Bërdicej në fund të së ciles gjëndej shtëpia, përcillte tingujt e Bandës së Frano Ndojës që aty provonte, prandaj u quajt edhe “Rruga e Daulles”. Gjithashtu, tingujt e violinës së të atit Gjonit, që në kohë të lirë luante me shokët, filluan dalngadalë të ndikonin në formimin e Ndocit fëmijë. Ishte pikërisht ky instrument – violina, të cilin herë mbas here edhe pse i vogël, e merrte nga muri ku ishte varur, i binte duke provuar kënaqësinë e tungujve që do të bëheshin pjesë e qënies së tij shpirtërore – e jetës së tij.  

Shkollimin e filloi në Shkollën Plotore “Skanderbeg” të cilën e përfundoi me rezultate të larta, ndërkohë që pregatitej për tu regjistruar në gjimnaz, në kolegjin Françeskan “Ylliricum”, drejtor i të cilit ishte At Gjergj Fishta me figurat dhe personalitetet më të larta të dijës dhe të kulturës sonë kombëtare, si Pader Martin Gjoka, Donat Kurti, Vinçenc Prendushi, Mikel Koliqi, Bernardin Palaj, Nikoll Gazulli, Lazer Shantoja, Anton Harapi, Pjeter Meshkalla, Justin Rrota, e shumë tjerë, të cilët do të mbeten për gjithë jetën figurat më të shquara të kombit tonë, gjimnazi u mbyll, meqë shkollat private u shtetizuan. 
Së bashku me Prenkë Jakovën,  kushëririn e tij më të dashur dy vjet më të madh me të cilin nga fillesat e muzikës si argëtim, kaluan në Liceun e Shtetit dhe falë  përkushtimit të At Martin Gjokës – françeskanit muzikant, profesorit të muzikës Zef Kurti, apo profesorit të vizatimit Simon Rrota, zhvilluan aftësitë e tyre prej artistësh të mirfilltë, që më vonë do të frymëzonin shoqërinë, qytetin e mbarë Shqipërinë me interpretimet e me veprat e tyre.        


* * *

 












Pranë Kishës Françeskane afër shtëpisë në Gjuhadol, funksiononte edhe Shoqnia Antoniane, të cilën Prenka e Ndoci e ndiqnin prej kohësh, ndërsa ishin pjesë e Orkestrinës së saj, ku Ndoci u angazhua fillimisht si violinist.                    
Kjo orkestrinë përbëhej nga : Ndoc Shllaku – violinë, Prenkë Jakova – fizarmonikë, Lin Kujxhia e Filip Jakova – prim, Emil Miloti, Pjetër Gjergji e Çesk Jakova – kitarrë, e cila funksionoi nga viti 1925 – 1940.


Ky formacion ishte rilevimi i parë solistik me shumë vlerë për kohën, ndërsa ngazhimin si violinist Ndoci e pati që më heret në moshë shumë të re, në Orkestrën e shoqnisë “Rozafat”, krahas instrumentistëve të njohur dhe atyre amatorë si Zef Alimhilli, Ugo e Dario Aditi në violinë, Shuk Shllaku – pianofortë, Gjon Sheldija etj. Ati Gjoni, ishte Antar i Kryesisë Shoqnisë, si edhe instrumentist me violinë.                    

                                   

Grupi i mandolinave i Shoqnia "Rozafat"







Gjithashtu Ndoci shquhej si mandolinist, e kitarrist. Meqenëse Shoqnia “Rozafat” pushoi aktivitetin në vitin 1939 me pushtimin fashist nga Italia, elementët më të rëndësishëm instrumentistë, u angazhuan në formacione të reja në frymën e kohës.
                                                                                                    

Kështu, krahas aktivizimit me grupin e Antonianes, nga viti 1941 deri n 1943, tashmë instrumentist i pjekur dhe i vlerësuar si solist, u angazhua duke dhënë Koncerte në Kishën Françeskane me Padër Filip Mazrekun pianist, që kishte studiuar në Firence gjatë formimit të tij klerikal, dhe me Prenkë Jakovën e pandashëm, tashmë me fillimet e tij krijuese në fushën e muzikës kishtare.

Pader Filip Mazreku

*  *  *  

Në vitin 1942 mbasi kishin kryer me sukses dhe rezultate të mira Liceun Shtetëror, me gjithë eksperiencën e fituar nga angazhimet e shumta në Shoqninë Antoniane si instrumentist e solist për Ndocin, dhe si drejtues i formacioneve si Banda Frençeskane, apo (në bashkëpunim me padër Filipin) i Korit e Orkestrës - nga Prenka, falë aftësive të tyre u pranuan në Konservatorin “Santa Cecilia” në Romë për studimet e larta respektivisht Ndoc Shllaku në violinë dhe Prenkë Jakova në klarinetë, gjithashtu edhe pse në moshë më të re u pranua edhe Çesk Zadeja për trombë. 



Në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore, edhe pse arritën rezultate tepër premtuese gjatë vitit të parë të studimeve, nuk ishtë e thënë që të vazhdonin më tej. Në rikthimin e tyre për pushimt verore, studimet u ndërpren
ë për arsye të kthesës së luftës në vitin 1943.
Sidoqoftë, kontaktet e drejtëpërdrejta me artistë, me skenat e mirënjohura të Operës Italiane, me literaturën tradicionale e atë bashkëkohore, si dhe përdorimi i metodikave të niveleve më të larta të mësimdhënies në Konservatorin e njohur “Santa Cecilia” , lanë gjurmët e pashlyeshme tek artistët e rinj, që do ti vlenin për gjithë jetën jo vetëm atyre, por edhe brezave të tjerë të muzikës shqiptare.       
E pikërisht, në këtë kohë sapo kishte rikthyer në vëndlindje, Ndoc Shllaku përballet më një ngjarje të rëndë që mund të ishte fatale për jetën e tij, të familjes e të gjithë shoqërisë. Ai internohet në kampin nazist të Prishtinës, si një i ri patriot që nuk pranonte nënshtrimin ndaj fashizmit e nazizmit.



Në një kalvar të gjatë vuajtjesh, kur dy herë u gjend para momentit të pushkatimit, i pafajshëm, kur vetëm dora e mbinatyrëshme e Zotit mund ti vinte në ndihmë, në një kohë që shumë bashkëvuajtës të tij u pushkatuan (40 dëshmorët e Morinës – Kukës), në vuajtje dhe në një diziluzion të thëllë, kaloi muajt e tmershëm në pritje të vdekjes, Ndoci i sapokthyer nga studimet.                                                                             
Me ndërhyrjen e vëndosur e vllazërore të Don Alfons Tracky (prifti i urtë gjerman, që ishte strehuar gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore nga Dom Mark Shllaku, i cili kishte mbështetur dezertimin nga lufta për bindjet e tija humane, dhe që kishte studiura në Bosnje, e ishte rikthyer në Shqipëri si misionar), i shpëtoi jetën mbi bazën e njohjes personale të sjelljes, kulturës dhe bindjeve patriotike të Ndocit, duke u bërë garant për lirimin e tij.                                                                                                                                                                          

                                      

                      * * *                         

Mbas çlirimit në natën e parë të Krishtlindjes 1944 filloi emisionet e saj Radio-Shkodra, ku Ndoci u caktua si shef parë i muzikës pranë këtij institucioni të rëndësishëm për kohën.


        

Në disa shënime të nxjerra nga Arkivi 
i Familjes Shllaku mbi këtë event, jepen detaje të rëndësishme të cilat kundërshtojnë me fakte edhe disa pasaktësi në rishikimin e historikut të Radio-Shkodrës mbas viteve 1990.

          
         













Ai saktëson mes të tjerave se: 
“… nën drejtimin e Pader Filip Mazrekut Asht këndue “Shtile Nacht”, si dhe pjesë nga një Meshë Krishtlindje e kompozitorit gjerman Pinger…” dhe kjo (sipas kujtimeve të djalit të tij Gjon Shllaku) u transmetua direkt nga Katedralja e Shkodrës në radio.

Në rolin e Pergjegjësit të Muzikës pranë radios, Ndoci luante edhe rolin drejtues të Orkestrinës popullore dhe Grupit të Muzikës Moderne të Radio Shkodrës ku çdo emision transmetohej drejtpërdrejtë, në pamundësi të regjistrimit.                                                 

Në këtë drejtim ai bëri shumë, duke aktivizuar këngëtare e këngëtarë të rinj si Luçije Miiloti, Pjetër Gjergji, Zina Filipi (Kalaci)  apo, Florinda Gjergji, më vonë Naile Hoxha e shumë të tjerë, që mbetën si ikona të këngës qytetare shkodrane.
Një dëshmi shumë domethënese në përkrahjen e talenteve nga Ndoc Shllaku që prej kohësh, na e jep thjeshësisht ndër kujtimet e tija në librin “Kanga ndiçon errësinën”, këngëtari popullor Bik Ndoja, i cili shkruan:

 

“...Në nji moment të tillë, nji shok prej grupit “Rozafat”, Ndoc Shllaku, violinist, e dinte se unë këndoja. Më afrohet e më propozon me këndue ndonji kangë. Me këtë orkestër unë kisha këndue ma parë. Njeni nga shokët e grupit tim më prezanton me emën: “Bik Ndoja, kangtar i Lagjes Rus i Vogël do të na këndojë dy kangë popullore: “Për mue paska kenë kismet” dhe “Dushe bore ket dashni”. Kangët shkuen aq bukur, sa që shkaktuen duertrokitje që nuk i prisja.
Pra, këto raste më jepnin forcë, vullnet e dashni për t'u futë ma thellë në madhështinë e bukurinë e kangës tonë popullore shkodrane. Kanga filloi të bahet jeta ime, shkolla ime.
E tham këtë se dashnia e madhe që kisha për kangën nuk m'u hoq kurrë, por erdhi gjithnji tue u shtue...”

Grupi i muzikës qytetare
Radio Shkodra
Stafi drejtues e artistik i
Radio Shkodrës
   














      
 
Orkestra e këgëtarë të muzikës moderne
Radio Shkodra
     

         

Për një periudhë të shkurtë, u thirr në Hotel “Dajti” dhe u përzgjodh si violinist i formacionit instrumental, të përbërë prej dy instrumentistëve italianë Rampi e Caletti, të mbetur aty deri pas luftës.


Në në vitin 1946 është aktivizuar si mësues muzike në shkollat unike të qytetit të Shkodrës, ndërkohë që në një bashkëpunim të afërt me Prenkën dhe regjizorin Andrea Skanjeti, kishin ideuar e vënë në skenë “Dasma Shkodrane” në vitin 1947 kur papritmas, në vitin 1950 thirret ushtar edhe pse kishte një moshë mbi 30 vjeçare, ndërkohë që ishte edhe i martuar.          

Sipas spjegimeve të tija (permes kujtesës së fëmijëve të tij), Ndoci tregonte se ditëlindja e tij e saktë (kjo gjëndet edhe në shënimet atit të tij Gjonit: “Fedja e Fëmijëve”), është 15 Dhjetor 1919, por që në dokumentat zyrtare të Gjendjes Cilvile u korigjua në 1 janar 1920.

    
 


Sipas dëshmive kjo bëhej për ta tërhequr në Tiranë si violinist e artist i shquar për të cilin kishin nevojë. Në fakt ai e kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblin Artistik të Ushtrisë (Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë), ku pati aktivitet solistik dhe si orkestrant deri në vitin 1952 kur u lirua, mbasi kishte familjen në Shkodër dhe dy prindët tashmë të plakur. 


Kthehet në Shkodër dhe emërohet si referent për problemet e artit ne Seksionin e Kulturës së Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, ku largohet sipas kërkesës së tijmbas pak kohe kur vëndoset si nëpunës specialist i Folklorit të Rrethit pranë Shtëpisë së Kulturës nga data 1 Janar 1953, pranë institucionit ku Prenkë Jakova ishte përgjegjës i Seksionit të Muzikës 
Ndërkohë që merret me organizimin e takimeve të para të Folklorit, për asnjë moment nuk ishe shkëputur nga aktiviteti i tij interpretues dhe ai krijues. Këtu përmendet aktivizimi (mbas ushtrisë), si instrumentist kryesor koncert-maester i Orkestrës Simfonike të formuar që në vitin 1951 nën drejtimin e Prenkë Jakovës, rrol të cilin e luajti gjithë jetën e tij artistike sa ishte gjallë Prenka, në vazhdim Gjon Kapidani, si dhe me Orkestrën e Filarmonisë së Shkodrës nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja.                                                                                              
Si koncert - maester apo spala e përherëshme, Ndoc Shllaku e orjentoi Orkestrën Simfonike të Shkodrës nga pulti i parë, gjithënjë me pjekuri, aftësi të lartë komunikuese e profesionalizëm, duke luajtur mjeshtrisht edhe pjesët solistike që i përkisnin atij rroli, me një tingull brilant, e bukuri të madhe interpretuese.
                                                                                                                                                       

“...Nuk do ta harroj kurrë preokupimin e vazhdueshëm të Ndoc Shllakut, të këtij spala rigoroz dhe të kujdesshëm. Ishte i pari në prova që hapte sallën e orkestrës, duke ardhur rregullisht një orë përpara, një shembull vertetë ky i rrallë për mbështetjen profesionale të kolektivit të orkestrës… Ai bënte rregullisht p arapërgatitjet e duhura për të gjithë sektorët e orkestrës, Ndoci duke patur dhe ndigjim muzikor përfekt, i njohur në Shkodër gjithashtu dhe si specialisti më i mirë në akordimin e instrumenttit të pianofortes, preokupohej rrgullisht edhe për akordimin e orkestrës Me një përkushtim të plotë vrerifikonte çdo ditë partet e sejcilit orkestrant, legaturat, nuancst rnuzikore e çdo shënim që mjeshtri na linte si detyrë për të nesërmen. Ajo që binte rtë sy më shumë te ky instrumentist, e që e bënte me një cilësi profesionale, ishte dhe demonstrimi i tij si violinist në pasazhet e caktuara të operës…”

(Gjovalin Lazri – vilolonçlist “Figura të shquara të kombit tonë” fq. 57)

I besuar prej drjetuesve të orkestrës, me shënimet që bënte, Ndoci i jepte zgjidhje shumë problemeve teknike që duheshin përballuar nga instrumentisët, të cilët në të shumtën e rasteve ishin thjesht diletantë të talentuar. Falë aftësive të tija të jashtëzakonëshme si akordues i pianoforteve dhe gjithë instrumentëve të tjerë, orkestra tingëllonte me një intonacion të admirueshëm.

E la këtë rol të rëndësishëm si Spala dhe krejt aktivitetin e tij si instrumentist, në Koncertin e 25 vjetorit të Operës “Mrika” të kompozitorit Prenkë Jakova, mikut e bashkëpuntorit më të dashur e të pandashëm të jetës, ndërsa ai nuk jetonte më.


* * *

Nga data 16 shtator 1957, Ndoc Shllaku emërohet si mësues metodist në lëndën e muzikës dhe të instrumeteve violinë e mandolinë, në Shkollën Padagogjike Shkodër, ku punoi për katër vite duke fituar një eksperiencë të madhe në mësimdhënie. ‘Mësuesi’ - përballë atyre nxënës që do të bëheshin edukatorë të ardhëshëm kryesisht për zonat e thella të Veriut, e njëkohësisht ‘Njeriu’ - duke dëshmuar për një respekt, e humanizmin të rrallë ndaj tyre: 

“… E vetmja familje në Shkodër që shkoja për të kaluar disa çaste të bukura, ishte ajo e Ndoc Shllakut, ishin si kushurinjtë e mi…. Edhe pse kishin problemet e veta, si çdo familje shqiptare në atë kohë, më ftonin shpesh që të shkoja tek ata. Kështu kisha një tjetër derë të hapur. E kujtoj përherë mikpritjen e tyre, bujarinë dhe dashurinë që përcillnin tek unë. Isha e mbyllur dhe e pafjalë. Tek ata çelesha, se ndjehesha si në shtëpinë time. .."  (Terezina D. nxënëse Shkolla pedagogjike.)



2.7 Roli, vlerat dhe drejtimet e punës së Ndoc Shllakut.

Puna dhe aktiviteti i Ndoc Shllakut zhvillohej në shumë aspekte të fushës së arsimit dhe të kulturës:













- si instrumentist së pari në orkestrinën e Radio-Shkodrës në fushën e muzikës qytetare, Orkestrinës Moderne pranë Shtëpisë së Kulturës, ku shquhej edhe si drejtues i aftë edhe në bashkëpunim me muzikantët Gjon Kapidani - pianofortë, Palush Koliqi e Mikel PistulliErnest Koçbashi - kitarrë, Gjon Halili - trombë, Kolë Gjinaj - fizarmonikë, Palokë Kurti e më vonë  e Kel Spathari – bateri, interpretuan me aftësi e nivel tepër të lartë gamën më të gjërë të muzikës, që nga ajo qytetare Shkodrane e popullore shqiptare, muzikën e gjithë vëndeve të traditës më të mirë botërore, tek repartori i gjërë i muzikës së lehtë e vallëzuese, asaj Jazz, e deri tek muzika e kohës Rock & Roll, apo tek festivalet e shumëndekura në Shkodër, siç ishte ai i Sanremos. Këto ‘koncerte simpatike’ që u zhvilluan në frekuencë tre-ditore çdo javë fillimisht në Kafe “Moska” në vazhdim tek “Kafja e madhe” e “Lulishta 1 maji” deri në kohën që nuk pati kufizime për muzikën e huaj.














- si metodist mësues i teorisë muzikore dhe instrumentavë muzikor (violinë, mandolinë e kitarrë) kur ishte i emëruar e punoi si mësues në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” për pesë vite, si dhe kur trajnonte e orjentone ( privatish, gjithënjë në formë vullnetare) talente të ndryshme që shfaqeshin, siç ishte për shëmbull Pjetër Gaci në fillimet e tija si violinist, apo me kontigjentë të rinj për Orkestrën Simfinike si Robert Prendushi, Sandër Gargjola, etj. Një punë të lavdërueshme bënte në këtë drejtim edhe violinisti veteran Zef Alimhilli me kurset, ku për një kohë edhe vetë Ndoci kishte marrë disa mësime të para në violinë;

   
               











- si administrator vlerësohet për periudhën kur ishte Përgjegjës i Muzikës në Radio-Shkodra, si në promovimin e talenteve të këngës qytetare e popullore shqiptare (cituar më sipër), apo si Referent në Seksionin e Kulturës, ndërkohë që ishte antar edhe antar i Këshillit Popullor të Qytetit, dhe në vazhdim, si ideator dhe drejtues i Shkollë së Muzikës.
Por, përveç këtyre meritave të dukëshme e të njohura publikisht, (siç dëshmohet në mjaft fakte e ngjarje treguar nga familjarët, nga nxënës të tij shumë të afërt e njohës të jetës e aktiviteteve kulturore të kohës, apo nga personalitete të artit e drejtues të kohës përmes shkrimeve të tyre, si dhe nga vetë ai nder shënime apo në një intervistë) Ndoc Shllaku ishte konsulenti i përherëshëm, i besueshëm dhe i pakundërshtueshëm i çdo veprimtarie apo vepre muzikore të Prenkë Jakovës.

Llazar Siliqi:
“...Perfundoj këtë shkrim në kujtim të Ndoc Shllakut duke nënvizuar se ai ishte jo vetëm shok jete i Prenke Jakovës, por edhe këshilltari, nxitësi dhe përkrahesi i tij i vazhdueshëm, duke i dhënë gjithnjë zemer sa herë ndodhte që Prenka ndjente nevojën për nxitje dhe përkrahje vëllazërore, ndaj edhe e përsëris, se emrin e Ndoc Shllakut e bashkojmë përherë me emrin e të paharrueshmit Prenkë Jakova”.  
 (“Në kujtim të Ndoc Shllaku” gazeta "Drita" 24 dhjetor 1995)

Ndoc Shllaku:
 “...Asht e vërtetë që unë kam kenë mik e dashamir, pothuaj si një vëlla për Prenkë   Jakovën. Po kështu kam kenë edhe një lloj konsulenti. Ai ndoshta nuk kishte nevojën time,  por… kishte besim, pse unë i thojshe gjithë ato që ndijshe, dhe ato që mund të kuptojshe…”.                                
                    (Interviste Radio Tirana 1995)

Dhe me të vërtetë, ky bashkëpunim bëhet i dukëshëm në çdo hap të veprimarive të kohës, si dhe në angazhimet krijuese te Prenkë Jakovës si kompozitor.
Për shëmbull, veprën e parë me muzikën e Dramës “Juda Makabe” shkruar nga At Gjegj Fishta, që ishte vënë në skenë me regji të Zef Zorbës më 28 nëndor 1945, e muzikoi krejtësisht  në shtëpinë e Ndocit – (“Ndoci i dajës” siç e thërriste Prenka, meqë me të vërtetë Gjoni ishte daja Rozës Jakova, nanës së Prenkës)  mbasi për arsye politike, krejt familja Jakova dhe vetë Prenka  ishin të izoluar.        Por jo vetëm kjo.
Çdo notë të frymëzimit të tij, Prenka e konsultonte me Ndocin, si një garanci për suksesin në publik, mbasi kishte eksperiencën,  intuitën e nuhatjen e duhur artistike, dhe thoshte pa ndrojtje çdo vërejtje apo vlerësim që konstatonte, gjë që e entuziasmonte pa masë Prenkën.


 “… Në shtëpi nuk kishte piano. Ku të punonte, ku të krijonte?!
Ndoc Shllaku, njeriu i tij i afërt e ftoi në shtëpinë e vet. Prenka punonte në pianon e Ndocit kohë e pa kohë, sa herë që i vinte frymëzimi. Po cili frymëzim?! Sa fillonte punën, nuk e linin të qetë mendimet e trazuara për gjendjen e njerëzve të tij. Dilte prej shtëpisë së Ndocit e shkonte të shihte prindërit. Përpiqej t'i qetësonte, por vetë ngarkohej aq shumë…”                                              (Isa Alibali në librin "Prenkë Jakova")     

“Dasma Shkodrane” ishte një ide e përbashkët e Prenkës dhe Ndocit, që modifikuan sipas kërkesave të kohës fenomenin e vjetër të martesës së të rinjëve me shkusi, dhe mbasi ishte konsultuar si ide me regjizorin Andrea Skanjetin, u vu në skenë më 15 shtator 1947. Ky realizim, përmban në masë shumë të rëndësishme, kontributin e familjes Shllaku. 

Ndërsa prëgatiteshin rrjeshtimet e ceremonialit, përzgjedhja e teksteve autentike, e deri tek realizimi skenik, çdo gjë diskutohej me të vjetrit e familjes Shllaku, ku edhe interpretuesja e rrolit kryesor të inskenimit ishte Aneta Shllaku (Nikaj) këngëtarja dhe aktorja më e re e familjes. Këngët u harmonizuan mjeshtrisht për kor nga Prenkë Jakova. “Dasma Shkodrane” u dha 12 herë në Shkodër, si dhe në turne për publikun në Tiranë e në Durrës. Si për ironi të fatit, pa pritur e pa kujtuar, Prenka arrestohet dhe burgoset me pretekstin se:   

“… Nuk kishte asnjë shkak. Por preteksti u gjet: “Në kor ka elementë të padëshiruar për pushtetin, ata i ka mbledhur Prenkë Jakova, prandaj ai duhej dënuar”. Ishte kohë tepër e vështirë, kur arrestimet e njerëzve të ndershëm bëheshin pa gjë të keq. Prenka u fut në burg, ndërsa kori u shpërnda.”                                                                                                                                    (Isa Alibali në librin "Prenkë Jakova")

Me shumë përpjekje dhe një mbështetjë të jashtëzakonëshme të gjithë dashamirësit e artit, (për hir të së vërtetës, edhe disa të njohur që ishin edhe pjesë e nomenklaturës politike komuniste të kohës), pasi u lirua, Prenka gradualisht u rikthye në vëndin që meritonte, e veçanërisht mbas veprimit muzikor “Dritë mbi Shqipni” ju hap rruga drejt realizimit të Operës së Parë Shqiptare “Mrika”

Në çdo hap të krijimit të kësaj opere, Ndoci ishte i pranishëm me idetë e tija logjike dhe të frymëzuara:  që nga titulli – “Mrika”;

Llazar Siliqi                                                                                                                    “...duke marre pjesë aktive në të gjitha fazat e përgatitjes së operas "Mrika". Bile, më kujtohet se kur diskutonim për operan , Ndoci qe i pari, që hodhi mendimin, që opera e Prenkes, libretin e së cilës e pata shkruar unë, të paraqitej shkurt e thjesht me emerin e heroinës së operas, me emrin e vajzës malesore "Mrika". Nuk i harroj kurrë edhe diskutimet që bënim vazhdimisht për libretin tjetër të op­ëras “Skënderbeu” që po e kompozonte Prenka. Verejtjet e Ndocit ishin për mua si libretist gjithnjë me interes, sepse ai ishte muzikant me shije, intuite e kulturë. Vete Prenka më pyeste shpesh: "ç'thotè Noci i dajës?"    (“Në kujtim të Ndoc Shllaku” gazeta "Drita" 24 dhjetor 1995)            

 tek përzgjedhja që Prenka bënte elementëve të Folklorit të Mirdirës;                                                            

 Isa Alibali:
“… Prenkë Jakova e dëgjonte me një përqëndrim të çuditshëm, sepse donte t'i merrte gjithë thesarin e melodive të tij aq të bukura. Edhe Ndoci ishte tepër i përqëndruar. Ai kishte një vesh muzikor absolut, siç komentohej në gjirin e muzikantëve të Shkodrës. Prandaj jo më kot Prenka e merrte gjithkund me vete dhe konsultohej me të për shumë gjëra.                                                  
(Isa Alibali libri “Prenkë Jakova”).                                                                                                     

 e deri tek rritja e forcës dramatike të operës me sugjerime për libretin;

Gjon Nd. Shllaku:                                                                                                                   
“Baba Ndoc na tregonte se si i kishte sugjeruar libretistit Lazar Siliqi dhe Prenkës, zgjidhjen e konfliktit të dajës Gjin në opera, duke i dhënë atij rolin e heroit, dhe duke pasuruar kështu dramaturgjinë e saj, me një moment tragjik shumë të rëndësishëm.
“Të vritet daja Gjin!” - i kishte thënë baba Ndoc, duke i mveshur atij karakterin heroik, duke e “shpëtruar” figurën e tij, nga një “endje e pa kuptimtë” në skenë, si një personazh fanatik i zakonit të fejesës në djep, që mund të krijonte “probleme” për kritikën e ngurtë të kohës së komunizmit.”

apo tek ideja e tij për të rikthyer Arien “Zot erdhën gjindja e huej” te “Juda Makabe”, në gojën e dajës Gjin -“O kob, o kob I zi”, me tekst të përshtatur mjeshtrisht në funksion të përmbajtjes së re nga Lazar Siliqi, meqë:

“...nuk do të mund të këndohet më me atë tekst si më parë, sepse ka subjekt Biblik, dhe ështe vepër e Fishtës.” - Nd. Shllaku 


Ndoc Shllaku, ishte pjestar i Orkestrës së Filarmonisë së Shtetit e cila përmblidhte instrumentistët më të mirë në rang kombëtar, dhe mblidhej në rast aktivitetesh të rëndësishme. Një nga këto ishte edhe turneu i gjatë tre-mujor në Republikën Popullore të Kinës atë kohë, në vitin 1968 me Ansamblin shetëror - turneu më i madh në historinë e periudhës komuniste shqiptare.                                           

Në të njëjtën mënyrë, siç bashëkëpunonin në fushën e krijimtarisë e të aktiviteteve, Prenkë Jakova e Ndoc Shllaku, projektonin e ‘ndanin’ mes tyre fushat e veçanta të veprimtarisë, si edhe orjentonin në ‘marrëveshtje’ vllazërore, drejtimet në të cilat ato duhet të kontribuonin në zhvillimin muzikës e të edukimit artistik të brezave të ardhëshëm.



Ata menduan se puna duhet të zhvillohej në dy aspekte kryesore:
1- në atë të krijimtarisë e të aktiviteteve muzikore në të cilën Prenka kishte krijuar eksperiencën e vet mjaft të suksesëshme dhe aty do të përqëndrohej, ndërsa
2- me edukimin muzikor e me aktivitetet e fëmijëve, që ishte i doemosdoshëm për të ardhmen, meqë kishte ekspriencë pedagogjike, do të merrej Ndoci.

“ ...Lëvizja diletante do të mbeste gjithnji e tillë nëse nuk do të ngrihej në baza profesionale. Duhej nji shkollë muzike. Liceu Artistik në Tiranë kishte vite që ishte ngritë. Në Korçë, bile edhe Elbasan kishin fillue të hapeshin klasë muzike e Ndoc Shllaku, që ishte profesionist, nuk la derë pa trokitë për të hapë edhe në Shkodër nji shkollë të tillë. Ishte hera e parë që Ndoci shfrytëzonte “autoritetin” që i jepte fakti që kishte qenë në internim në Prishtinë…”      Robert Prendushi

 

*  *  *

 KAPITULLI III

3. Roli i Ndoc Shllakut si mësues i violinës dhe drejtues i Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova” 1961-1977 .

Hapja e Shkollës së Muzikës në Shkodër, është arritje e madhe për kulturën shkodrane, ku shkodranët realizuan ëndrrat, shpresën e kahershme, projektuan të ardhmen e muzikës qytetare, dhe ruajtën traditën shumë të pasur në fushën e artit tmuzikor.

Shkollat si çdo vit fillojnë në muajin shtator, edhe në vitin 1960-1961 po ashtu ndodhi. Por që të fillonte mësimi në Shkollën e Muzikës, normalisht duheshin nxënës për klasën e parë. Në atë kohë iu dha porosia nga Seksioni i Arsimit dhe i Kulturës, të gjithë mësuesve të muzikës të shkollave të qytetit, që të përzgjidhnin fëmijët më të talentuar.

Më 17 janar të vitit 1961 për here të parë, u hap klasa e parë e muzikës në qytetin e Shkodrës. Gradualisht vit pas viti ajo mori përmasat e një shkolle që prej vitesh mban emrin e Prenkë Jakovës. Kjo shkollë ju dha mundësinë fëmijëve shkodranë që të studionin e të zhvillonin talentin e tyre, pa dallime sociale e fetare.

Në vitin e parë të hapjes së shkollës, studiohet në dy degë: atë të muzikës - violinë, pianofortë, dhe arsim i përgjithshëm. Mësuesit e parë të kësaj klase ishin  Lajde Banushi mësuese për kulturën e përgjithshme, Ndoc Shllaku mësues i violinës dhe njëherit drejtues i saj, ndërsa për lëndën e pianos dhe solfezhit u emërua Gjon Kapidani.

Më 19 mars gazeta ‘’Drita’’ organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë shkruan:

‘’Mbas dreke shkolla "Ndre Mjeda" kthehet në shkollë muzike. S’ka vetëm dy muaj që ka filluar mësimi muzikorë, por të vegjlit kanë ecur shumë përpara. Çdo njeri mund të shijojë një orë muzikore në kët studio artistike në miniaturë’’ .

                                                                                              

Në fund të vitit shkollor 1961-1962, me datë 24 qershor të 62-shit jepet Koncerti i pare artistik i Shkollës së Muzikës në Shkodër. Kjo shënon një arritje të madhe për shkollën, por njëkohësisht dhe për jetën artistike të qytetit të Shkodrës. Krahas dijeve në kulturën e përgjithshme dhe në specialitetet e muzikës, u krijuan Ansambli Koral i nxënësve drejtuar nga Gjon Kapidani, dhe Ansabli i Harqeve përgatitur nga Ndoc Shllaku e Gjovalin Xhanxhafili.

Niveli i lartë i Shkollës së Muzikës rritet dita – ditës falë këtyre mësuësve të parë. Këta hollën gurë themeli të forte të cilët qëndrojnë deri sot krenar, në qytetin e Shkodrës. 

Të tre mësuesit e parë ishin të njohur në ambjentet e kulturës dhe arsimit shkodran, për vlerat e tyre qytetare dhe profesionale. Përzgjedhja e tyre si mësues për edukimin dhe formimin e fëmijëve të talentuar shkodranë, u mirëprit edhe nga komuniteti i gjërë i qytetit. Nga ky vit, nis rrugën historia e shkëlqyer e Shkollës Artistike "Prenkë Jakova" në Shkodër, në shkallë kombëtare.


Ndoc Shllaku, një pjesë të rëndësishme të jetës së tij profesionale ja kushtoi violinës, e mësimdhënies si specialist i këtij  instrumenti, që nga viti 1961 deri në 1977 vit kur doli në pension. Gjithashtu, nga viti 1961-ë deri 1967 ai  do jetë dhe drejtuesi i kësaj shkolle.

Një nga nënësit e parë të violinës Ridvan Karakaçi (Muzikolog) kujton se:

“Ndoc Shllaku nuk qe mësues i ftohtë apo pedant, përkundrazi ishte miqësor dhe i dashur me nxënësit, ishte një njeri me ndjenja të holla. Për kohën zotëronte një kulturë të gjërë artistike. Ishte natyrë e kthjellët, bujare e plot pasion. Por ai ishte dhe i zgjuar, i sinqertë në marrëdhënie me njerëzit, me pikëpamje serioze ndaj jetës dhe artit”. 

Sukseset dhe arritjet e Shkollës së Muzikës nga viti në vit janë të pandara nga puna dhe aftësia e Shllakut si mësues i violinës dhe drejtues i saj. Përzgjedhja për çdo vit e fëmijëve të talentuar shkodranë që do të studionin në këtë shkollë, përbën një kompetent me rëndësi të parë, dhe garanci serioze për suksesin në vijimësi të shkollës.

Që në përzgjedhjen e femijëve të klasës së parë në vitin 1961, siç e përmenda pak më lart, Ndoc Shllaku manifestoi pjekuri, ndershmëri, seriozitet dhe aftësi profesinale. U përzgjodhën për klasën e parë të muzikës, 25 fëmijë shkodranë. Vetem nga kjo klasë e parë, pas 8 vitsh studime, 7 prej tyre do të vazhdonin studimet në Liceun Artistik ‘’Jordan Misja’’ në Tiranë, dhe 5 prej tyre do të përfundonin studimmet në Institutin e Lartë të Arteve Tiranë, në vitin 1976.

Violinistja e parë e shkolluar në institucionin që përmenda pak më lart, ishte Dorotea Miloti nxënëse e violinës që kishte mësuar në klasën e Ndoc Shllakut.


                                                                                                                                                                      

3.1 Roli i tij në vendosjen e programeve didaktike

Që nga klasa e parë dhe në vijimësi, Shkolla e Muzikës do të punonte dhe mësonte me programe të rregullta e të unifikuara në shkallë kombëtare, të miratuara nga Ministria e Arsimit Shqiptar, zbatimi i të cilave, ishin dhe do të mbesin në përgjegjësin e drejtuesit të saj. Në specialitetin e muzikës do të aplikoheshin metoda të përgatitjes teknike, nga më të njohurat që aplikoheshin në shkollat europiane si: Shradik, Radionov, per ciklin fillor, Kajzer, Dont i vogël, e Rode për ciklin e lartë 8-të vjeçares.

Edhe repertori artistike përzgjidhej nga muzika artistike koncertale europiane sipas niveleve të arritjeve tekniko muzikore si: Koncertet për violinë Riding, Zajs, Vivaldi - sol mazhor, e la mazhor, Bach Koncert - mi mazhor, Akolai, Beriot, Viotti nr. 22 - 23 e Mozart, Sonatat e Hendelit për violinë etj.

Edhe Muzika Kombëtare Shqiptare e kohës për violinë, do të bëhej pjesë integrale e repertorit artistik nëpërmjet veprave për viloine të Pjeter Gacit, miniatura, balada, koncerti për violinë; miniaturat për violinë të Albert Paparisto si dhe veprat e Nikolla Zaraqi etj. Përsëri sipas kujtimeve të Ridvan Karakaçi kujton se:

“Në aspektin pedagogjik, Ndoc Shllaku ishte i aftë dhe i zoti në repertorin teknik dhe artistik për të mësuar deri në klasën e 8-të. Shllaku  lunate, demonstronte e kontretizonte në violinë para nxënësve të tij. Ishte violinsiti më i talentuar dhe i studiuar në Shkodër për kohën. Na tregonte se kishte studiuar për violinë, vetë për kursin e parë në Konservatorin ‘’Santa Cecilia’’ në Romë gjatë viteve 1942-1943, së bashku me Prenkë Jakovën dhe Çesk Zadejën. Për arsye të Luftës së Dytë Botërore u detyruan të kthehën pranë familjes”.

Na ka lënë mbresë të veçantë, tingulli i tij i butë, i ëmbël e i mbështetuar në një vibrato elegante dhe një teknikë të zhvilluar. Një gjë mbeti e pandryshuar tek Ndoc Shllaku si mësues, kujton Ridvan Karakaçi:

Ai synonte gjithnjë të zhvillonte nxënësit e tij nga pikpamja muzikale, artistike, dhe gjithnjë përpiqej të zhvillonte fantazinë e nxënësve me metafora të godituara, figura poetike me analogjira të natyrës, dhe jetës. Nuk ishin të pakuptimta dhe mjaft orë që ja kushtonte fëmijëve të këtij sektori me dëgjime muzikore, që organizonte pas orëve të mesimit të muzikes si: Mozart, Bethoven, Çajkovski, Mendelson apo me arie nga operistika Italiane, Maskanji, Verdi, Puccini. Ju shpjegonte edhe për jetën dhe veprimtarit e tyre muzikore”.

Pra siç duket ai insistonte të zhvillonte nxënësit, jo vetëm nga pikpamja muzikale por edhe nga ana morale e etike. Siç duket përsëri ai bën gjithçka që ishte e mundur për të transmetuar tek nxënësit dijet e tij të përvetësuara mirë, por edhe të jetuara dhe të pranuara.


Shumë interesante dhe me vlera njerëzore dhe artistike do të mbetet në kujtimet e nxënësve, momentet kur ai sillte ne klasë për të dëgjuar e biseduar me figura të shquara të artit shkodranë dhe kombëtar si: Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Tonin Harapi etj.

Pa humbur kohë, nxënësit e Shkollës së Muzikës do të bëhen pjesë e koncerteve artistike që zhvilloheshin në Shkodër, si soloistë apo orkestrantë të orkestrës që shoqëronte Festivalet lokale të fëmijëve, apo edhe ato kombëtare.


Kontributi i tij si mësues i violinës së bashku me mësuesit e parë të kësaj shkolle, si drejtues i saj per disa vite, qëndrojnë fort në themele të asaj tradite të shkëlqyer të Shkollës e Mesme Artitike “Prenkë Jakova”, në edukimin dhe formimin e talenteve të reja në Shkodër, apo edhe nga shumë qytete të Veriut të Shqipërisë.



* * *

KAPITULLI IV

4. Vlerësimi nga profesionistët e fushës.

Sa ishte gjallë, e në vazhdim gjithënjë Ndoc Shllaku ka arritur të marrë vlerësimin e fruteve të punës së tuj të përkushtuar. Të shumta janë mirënjohjet apo stimujt e gjithanëshëm dedikuar figurës së tij si qytetar, si mësues e instrumentist, si njeri i progresit e si krijues, e deri tek meritat patriotike të qëndrimit burrëror në periudhën e Luftës së 2-të Botërore.

Veçanërisht kolegët, ish-nxënësit e tij dhe autoritetet e ndryshme të artit e kulturës shqiptare, shprehen me respekt e vlerësime të larta si në shtyp apo në mediat e tjera të kohë sonë, prej të cilave janë nxjerrë, apo jënë marrë edhe opinionet në vazhdim.

Krahas shumë vlerësimeve për punën, përkushtimin e pashembullt profesional, Këshilli i Bashkisë Shkodër vëndosi t'i akordojë titullin "Qytetar nderi" z. Ndoc Shllaku, me motivacionin:                       



"Për kontribut shumë të çmuar në edukimin dhe formimin profesional të artistëve të rinj për shumë vite. Holli themele të shëndoshta, në krijimin dhe konsolidimin e Shkollës Kombëtare Artistike "Prenkë Jakova". Artist i shquar në nivel lokal dhe kombëtar. 
Pasuroi me veprën  tij traditat kulturore dhe artistike në Shkodër"


4.1. Robert Prendushi ish drejtor i Shkollës Artistike “Prenkë Jakova”

1. Si e vlersoni ju kontributin e dhënë të Ndoc shllakut në Shkollën e Artistike “Prenke Jakova”, si violinist Koncertmaestër i Orkestres Sinfonike, dhe i ansamblit të ndryshme këngës ?

2. Kur përmendet emeri i Ndoc Shllakut çfarë kujtimesh ju vijnë në mendje?

Tue marrë shkas nga nji përvjetori randësishëm, siç asht 50 vjetori i Shkollës së Muzikës në Shkodër, institucion që në pak ma shumë se në nji dekadë do ta vinte përsëri Shkodrën në nivelet e para kombëtare ndër rrethe, siç kishte qenë edhe para lufte, gjejmë rastin të vlerësojmë e nderojmë gjithë muzikantët e parë të Akademisë së pashpallun muzikore shkodrane, që përgaditen me përkushtim brezin tonë të pedagogëve të kësaj shkolle.

Në mes tyne shquhet mësuesi, kolegu e miku i paharruem Ndoc Shllaku, violinisti i mirënjohun, themeluesi i asaj shkolle, që sot mban emnin e kompozitorit të shquem Prenkë Jakova e që i dha përsëri za e nam Shkodrës në fushën e muzikës. Ndër të parët që Shkodra ja ndjeu zanin ishte edhe Ndoc Shllaku me violinën e vet në emisionet e para muzikore të Radio Shkodres. Nji brez i ri po rritej dhe ne, fëmijë, jo vetëm e ndigjonim ate në radio, por edhe kishim fatin ta kishim mësues muzike në shkollën unike, siç quhej atëherë shkolla 7 vjeçare. Për ne, që kishim fillue mësimet e para të violinës në Shtëpi të Pionerit.

Ma vonë me të pakursyemin, violinistin Z. Alimhilli, ato melodi që ndigjonim prej tij, na banin me andrrue se edhe ne do të luenim në atë instrument; ajo andërr konkrete, e arritshme. Por Ndoc Shllaku e Prenkë Jakova (të dy nxanës të kompoziotrit At . M. Gjoka), nuk ishin të knaqun vetëm me kurset që zhvilloheshin në Shtëpinë e Pionierit e në ate të Kulturës.

Lëvizja diletante do të mbeste gjithnji e tillë nëse nuk do të ngrihej në baza profesionale. Duhej nji shkollë muzike. Liceu Artistik në Tiranë kishte vite që ishte ngritë. Në Korçë, bile edhe Elbasan kishin fillue të hapeshin klasë muzike e Ndoc Shllaku, që ishte profesionist, nuk la derë pa trokitë për të hapë edhe në Shkodër nji shkollë të tillë. Ishte hera e parë që Ndoci shfrytëzonte “autoritetin” që i jepte fakti që kishte qenë në internim në Prishtinë…

Ma në fund në janar të vitit 1961 edhe në Shkodër drejtuesi Ndoc Shllaku (violinë), Gjon Kapidani (piano e solfezh) dhe mësuesja Lajde Banushi, paten nderin e fatin të nisin nji udhëtim që e bani Shkodren e fëmijët e saj të andrronin t’i binin violinës si zotni Ndoci e pianfortës, si i riu i talentuem Gjon Kapidani (ma vonë kompozitor njohun).

Filluen të vijnë vocrrakë e vocrrake nga të gjitha lagjet e qytetit kaq të hapun të Shkodres. Në sytë e prindve, me kluturë e profesione të ndryshme, ishte lehtë të dalloje gëzimin që fëmijtë e tyne kishin gjetë prind të dytë ndër mësuesit e tyne. Harmonia e madhe që kultivoi Nd. Shllaku edhe me kolegët e vet, tue dhanë vetë shembullin “si i barabartë” me ta (edhe pse mjaft prej tyne, tashma, kishin qenë nxanës të tij), mbetet ndoshta pasunia ma e madhe që i la këti institucioni të muzikës, që nuk mund të jetonte pa harmoni… Mjafton të përmendim “nji ves” të tij: ai nuk mund të ndigjonte pianofortë të pa akordueme. Për katër dekada të gjithë pianofortet e qytetit (shumica e të cilave “jo të reja”, për të përdorë nji eufemizëm) janë akordue pa asnji shperblim nga Ndoc Shllaku.

Kam pasë fatin të luej me ate në orkestren sinfonike, për tre dekada dhe, në nji pult, për ma shumë se nji dekadë, dhe jam deshmitar i ndjeshmenisë së tij të veçantë në akordimin e orkestres. Edhe në pauza të vogla, gjatë provave, ai i terhiqte vemendjen me takt ndonji instrumentisti, tue i ba me shenjë që ta ngrinte ose ulte akordimi. Shkolla kishte vetem nji pianoforte. Këte mangësi Nd. Shllaku e kaloi tue krye nji reformë që i dha shkollës nji avantazh në krahasim me të gjitha shkollat e tjera të vendit, përfshi Liceun Artistik.

Ajo mungesë e theksueme sidomos e pianoforteve për studim, kishte ba që disa nxanës, edhe pse të talentuem, kishin mbetë relativisht mbrapa me programin mësimor. Kështu kishte ndodhë edhe me ndonji violinist që, për arsye thjeshtë fiziologjike, nuk kishte agjilitetin e domosdoshem, ndaj dhe vazhdimi i studimit në instrumentin që kishin nisë do të ishte i pafrutshem.Nd. Shllaku me inisiativë vendosë t’i japë atyne edhe në kl. VI e VII instrumentin e frymës. Në fakt, simbas praktikës, që ishte edhe rregull në atë kohë, studimi i instrumentit të frymës, fillonte vetem në shkollën e mesme.

Shkolla ndërroi katër ambiente gjatë viteve 1961 deri në vitin 1972, deri sa u vendos të ndërtohej një shkollë e re. Nuk di nëse e kam falenderue sa duhet, kur ishte mes nesh, Ndoc Shllakun, mësuesin, drejtorin e mikun tim, për ndihmën që ai më dha kur më emnuen drejtor të shkollës së mesme të muzikës. Ishte hera e parë që nxanësit e mësuesit shpresonin se do të banin mësimin e kulturës së përgjithëshme dhe ate artistike në të njajtin ambjent. Por shkolla, si ndertesë, nuk ishte ende. Korça e Elbasani e kishin shkollene tyne të muzikës, Shkodra jo (!) Pra duhej mendue mirë se si do të ishte ajo shkollë. 

Ishte Nd. Shllaku vazhdimisht pranë meje, me shumë shokë e kolegë, në konsultimet e frytshme me ing. projektues Ruzhdi Dibra (të cilen gjej rastin ta falënderoj edhe tani) për punën e mrekullueshme, që së bashku me ing. e ndertimit I. Sinja i dhuruen qytetit nji shkollë me të vertetë funksionale. Ishte me mue miku Nd. Shllaku në Tiranë, si avokati ma i mirë, për të sigurue nji ngrohje qendrore me kaldajë (dhe kjo ndodhte për herë të parë për nji shkollë në Shkodër). Shkolla u plotësue me të gjithë sektorët edhe me ate të tunxhit, të kantos, bile edhe me sektorin e arteve figurative. Punohej serjozisht nga të gjthë. Shkodra tashma kishte orkestren e dytë sinfonike.

Në Nandor të vitit 1974, në konkursin e shpallun nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës për shkollat e muzikës, përfshi Liceun Artistik. Shkolla jonë (që ende nuk e kishte marrë emnin që meritonte, “P. Jakova”), fitoi flamurin. Ishte nji sodisfaksion i madh për të gjithë ne, aq ma shumë për Ndoc Shllakun, mësuesin e drejtorin e parë të asaj andrre të bukur shkodrane që asht edhe sot Shkolla Kombëtare Artistike “Prenkë Jakova”.

2. Kur ndigjoj emnin e Ndoc Shllakut... Kur flitet për zhvillimin e muzikës në Shkodër, sidomos mbas Luftës së Dytë, emni i Ndoc Shllakut asht aty ,si pjesë përbase e protogonist i atij zhvillimi. Personalisht më duket se Ndoc Shllakun e kam njohtë gjithnji. 


Kam pasë fatin me e pasë edhe mësues muzike. Ishte bukuria e tingujve të violinës së tij, që vinte në heshtje klasën, ishte ajo magji e tingujve që më bani të filloj të mësoj edhe unë violinë. Por çudija ma madhe asht se unë e mbaj mend Ndoc Shllakun gjithmonë njilloj në mardhanient me mue e me të tjerët. E pra e kam njohtë në të gjithë pozicionet që mund të ketë njohja dhe puna. Pra e kam pasë mësues, e kam pasë shok pune, e kam pasë edhe drejtues, por e kam pasë edhe mësues, kur isha unë drejtor. Ndoci ishte njilloj, pse ashtu ishte i formuem. Ashtu e kishte formue jeta. 

Ai vertetë i binte violionës, vertetë kishte shkue për studime në Konservatorin Santa Cecilia në Romë. Por kishte pa dhe Luftën. Kishte provue internimin në Prishtinë, por kishte mbajtë me dinjitet axhën e tij prift në shtëpi, kur kjo ishte ma sa komprometuese. Nuk njoh njeri që të kishte ndonji hatermbetje prej tij. Nuk kam ndigjue kurrë që Ndoc Shllaku t’i jetë servilosë ndokujt. Këte mendoj kur përmendet emni i Ndoc Shllakut, muzikantit e violinistit të talentuem.

4.2. Llazar Siliqi

In memoriam.


















Pak kohë më parë, siç u njoftua në televizion, vdiq në Shkodër anëtari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, violinsti i njohur Ndoc Shllaku, që u percoll me nderim nga shumë qytetarë dhe sidomos admirues të muzikës. “Ndoci i dajës”, kështu e quante shoku i tij i tërë jetës kompozitori ynë Prenkë Jakova, sepse ai kishte me të edhe lidhje farefisnie si dhe të dy kishin një bashkëpunim të gjatë si muzikantë të pasionuar. Bashkë ata patën filluar në vitet ‘40 studimet në Konservatorin e Romës “Santa Cecilia”, por i ndërprenë, e u kthyen në Shqipëri dhe gjatë gjithë viteve të mëparëshme qenë përherë bashkë deri në vdekjen tragjike të kompozitorit tonë të madh.

...Ndoc Shllaku qe oganizator i veprimtarive muzikore si shef i kulturës në vitet 1945 - 1946 si dhe duke u aktivizuar në Orkestrinën e Shtepisë së Kulturës të Shkodrës dhe të Radio Shkodres, si dhe në Orkestrën Simfonike të Ushtrise dhe të Orkestrës Simfonike të Shtëpisë së Kulturës të Shkodrës si violinë spala, nën drejtimin e Prenkë Jakovës, duke marrë pjesë aktive në të gjitha fazat e përgatitjes së operas “Mrika”. Bile, më kujtohet se kur diskutonim për operan, Ndoci qe i pari që hodhi mendimin që opera e Prenkës, libretin e së ciles e pata shkruar unë, të paraqitej shkurt e thjesht me emerin e heroinës së operas, me emrin e vajzës malësore Mrukë. Nuk i harroj kurrë edhe diskutimet që bënim vazhdimisht për libretin tjetër të operas “Skënderbeu” që po e kompozonte Prenka. Verejtjet e Ndocit ishin për mua si libretist, gjithnjë me interes, sepse ai ishte muzikant me shije, intuite e kulturë. Vetë Prenka me pyeste shpesh: “ç’thotë Ndoci i dajes?

...Ndoc Shllaku, qysh fëmijë u rrit me ahengun shkodran që e ka njohur si rrallëkush. Ndaj siç më rrëfente këto dite miku i Ndocit, Tish Daja - “...sa herë që ne kompozitorët e Shkodrës krijonim diçka me frymë popullore, e ndjenim nevojën të këshilloheshim me Ndocin, të sigurte se do të gjenim sugjerime e ndihmë krijuese, sepse ai e njihte krijmtarinë popullore aq mire dhe madje, me interpretimin që u bënte këngëve tona, ndihmonte në kolaudimin dhe pasurimin e tyre, siç ka ndodhur me këngë të tilla të njohura si “Kënga e krushqve” ( T. Daija), “Gruni i ri” (P. Jakova), “Doli nana në çardak” (Ç.Zadeja) apo “Luleborë” (S.Gjoni)...”.

Miku e bashkëpuntori im Tish Daija më rrëfente edhe se i kujtohej koha kur në 1946 Shtëpia e Kulturës së Shkodrës përgatiste Koncertin me rastin e Kongresit II të Rinisë me një orkestër xhazi në të cilin violinist i parë ishte Ndoc Shllaku, u përgatit Koncerti me këngë të reja të kompozitorëve shkodranë    P. Jakova, Ndoc Shllaku, T. Daija, Ç. Zadeja, S. Gjoni, T. Rrota etj. të cilët ishin edhe vetë pjesmarrës në formacion orkestral në të cilin bënin pjesë edhe dy muzikantë italiane. Koncerti pati shumë sukses kur u dha në Tiranë.

Këtë shkrim, si kujtim të mikut tim Ndoc ShIlaku e shkruaj duke e bashkuar siç e meriton, me emrin e Prenkë Jakovës, njërit prej kompozitorëve tanë të mëdhenj, duke filluar nga Palokë Kurti, Patër Martin Gjoka, Dom Mikel Koliqi - kardinali yne i sotëm, duke kaluar te plejada e bashkëqytetarëve të shquar Tonin Harapi, Tish Daija e Çesk Zadeja dhe te kompozitorët gjithashtu të shquar si Nikolla Zoraqi e Feim lbrahimi, te cilët të gjithë vunë gurë themeli në godinën e muzikës shqiptare.

... E përfundoj këtë shkrim në kujtim të Ndoc Shllakut duke nënvizuar se ai ishte jo vetëm shok jete i Prenkë Jakovës, por edhe këshilltari, nxitësi dhe përkrahësi i tij i vazhdueshëm, duke i dhënë gjithnjë zemër sa herë ndodhte që Prenka ndjente nevojën për nxitje dhe përkrahje vëllazërore. Ndaj edhe e përsëris se emrin e Ndoc Shllakut, e bashkojmë përherë me emrin e të paharrueshmit Prenkë Jakova.’’ Llazar Siliqi “Në kujtim të Ndoc Shllakut” Dhjetor 1995 .


4.3 Marita Zimmermann Geb Vuksani ish Nëndrejtoreshë e Shkollës Artistike “Prenkë Jakova”

Ndoc Shllaku, kjo figurë e ndritur e Artit Shkodran me vlere të lartë muzikore dha kontribut të veçantë në edukimin e kultivimin e talenteve të reja, muzikantëve të ardhshëm të Qytetit të Shkodrës.

Studiues të shumtë e trajtojnë reformën në shkollë, klimën e shkollës që lidhet direkt me drejtuesin e shkollës (Kenneth Leithwood, of Minnesota ( Copyright 2004 )). “So effective or successful leader - drejtues efektive ose të suksesshëm (H.J. Freiberg ,School climate ( Klima e shkolles ) 1999, Philadelphia.), e sa e sa të tjera.

Me hapjen e Shkollës së parë të Muzikës, puna e Drejtuesit Ndoc Shllaku përqendrohet tek klima pozitive, që ai krijon në shkollë. Drejtimi është kompleks, bashkëpunim dhe respekt. 

Gjenialiteti i tij si Drejtues, qëndron në faktin se Ai, krijoi besimin mes kolegëve, që lidhet me sinqeritetin, bashkëpunimin, ndershmërinë. Mendoj se ky është rezultati më i mirë në punën e një Drejtuesi. Bashkëpunimi me mesuesit, është kontribut me vlerë që çon përpara, rritjen cilesore të nxënësit, të talentit.

Drejtimi i Tij profesional në vite, jep rezultatet më të mira. Keshtu që vit pas viti, talentet e dala si dhe ato që shkollohen, jane “Jehonë e kontributit të Tij drejtues. Drejtuesi – mësuesi - nxënësi – talenti, bëhen pjesë e pandarë në rrugëtimin për shkollimin, edukimin e kultivimin e talentit.

Origjinaliteti i drejtuesit Ndoc Shllaku, qëndron dhe në faktin se Ai, i kushton rëndësi ballafaqimit të talentit me auditorin. Që në vitin e dytë të hapjes së Shkollës, viti 1962, organizohet Koncerti i Parë i Artistëve Muzikantë. Në vite, ky drejtim profesional, ballafaqim me auditorin, si në Sektoret e Muzikës, apo dhe të Arteve Figurative, janë rezultati më i mirë i arritjeve jo vetëm në shkollë, por sot, kudo ne Botë, ku kontribuojnë këto talente.

Kujtime… Në vitet e para të Shkollës së Muzikës, kishte vetëm një Piano, ku bëhej mësim, si dhe na jepej mundësia me një orar sado të reduktuar të studionim në të.

Ndoc Shllaku, ofroj Pianon private në shtepinë e Tij. Edhe unë pata mundësinë të studioja në këtë Piano. Sot, atë do ta quaja “Piano Antike me një akordim perfekt”. Ai ishte një talent profesionist në akordimin e pianove. Me një dashuri dhe gjithmone vullnetarisht, pianot e Shkollës Artistike “Prenkë Jakova”, ndriçonin në tingellim, nga akordimi i Tij magjik. Me shumë Respekt për këtë Figure te Ndritur .


*  *  * 

KAPITULLI V

 5. Vazhdimesia e muzikes ne familjen Shllaku.

Pagzimi i Gjonit 1960

Në shkrimin e tij, “In memoriam” në kujtim të Ndoc Shllakut, poeti e miku i mirë i familjes Shllaku, Llazar Siliqi , shkruan:

“...Ndoc Shllaku dhe gjithë familja e tij kanë qenë të tërë të lidhur ngushtë me muzikën. Edhe bashkeshortja e tij e ndjera Margerita, bënte pjesë në Korin e Shtëpisë së Kultures të Shkodrës, ndërkaq dy vajzat e tij KIaudia e Çeçilia vazhduan shkollën artistike për violinë e për piano, kurse më i talentuari i fëmijëve, djali i tij Gjoni, kreu studimet në Konservatorin e Tiranës (ILA), duke paraqitur si temë diplome muzikën e baletit të vet “Nuse Arbana”. Madje edhe nipi i tij Eugjeni, vazhdon siudimet pikërisht për violinë në Konservatorin e Mantovës në Itali, kurse motra e Ndocit Neta, ka qenë këngëtarja që interpretoi e para rolin e nënës Marë të operas së parë shqiptare “Mrika” të Prenkë Jakovës…)

Dhe me të vërtetë, arti muzikor interpretues në traditën e familjes Shllaku, vazhdon e pasurohet brez mbas brezi me vlera gjithënjë në rritje, duke u zgjëruar me elementë të shumtë qoftë në fushën e krijimtarisë muzikore ( ku vetë Ndoci fillimisht, ka krijuar me sukses në gjininë e këngës siç janë, për shembull këngë e para: “Nën hije” , “Kanga e lamës”, “Besën kur ta dhashë” etj. apo këngët për fëmijë “Shkolla ime” , “Vjeshta”, “Kanga e Abetares” etj.), në atë të pikturës ku shquhej i ati Gjoni, dhe ai vetë si nxëns i talentuar dhe i vlerësuar prej piktorit Simon Rrota; në fushën gjuësisë e letersisë ku dallohen Dom Mark Shllaku si gazetar e njohë i thellë i Gjuhës Shqipe, dhe poliglot si njohës i 11 gjuhëve të huaja, ku edhe vetë Ndoci me esetë e hartimet e tija të frymëzuara, vlerësohej gjatë viteve të shkollës, në veçanti nga mësuesi i tij i letërsisë - studiuesi brilant i At Gjergj Fishtës, At Viktor Volaj, e që vazhdim me poezitë e tyre Jozefina Nikaj – mbesa, dhe Klaudia Shllaku – e bija; po kështu, në fushën e interpretimit skenik e atij operistik ku shquhet Aneta Nikaj (Shllaku), që ishte ndër aktoret e para të Teatrit Popullor, ajo interpretoi rolin e Siles tek inskenimi “Dasma Shkodrane” vënë në skenë me 15 shtator 1947, e më kryesorja - Opera “Mrika”, ku Aneta kishte rolin e nënës Marë (mexosoprano).

Aneta në rolin e nanës Marë Opera "Mrika" 1958
    
“... Aneta përsëri kujton e rrëfen: “Nuk e di se si ta shpjegoj, 17 vjet pa dalë në skenë. 17 vjet e shkëputur nga jeta muzikore. Unë që e dashuroja gjer në shpirt muzikën… Ja, pas pak do të dilja, përsëri, në skenë. M’u duk vetja e njohur dhe e panjohur njëkohësisht. Më vërshuan kujtimet, emocionet… Isha e vetme mexosoprane. Nuk kisha dublante. Kisha punuar shumë, shumë… Më dridhej zemra, kur dëgjoja muzikë. isha si e etur. S’ngopesha… Përmallohesha, humbisja… Më dukej vetja sikur rendja në hapësirë, në një hapësirë pa kufi… Ndoshta nga që më kishte marrë malli për këngën e skenën…”      Xhahid Bushati

5.1 Margerita Shllaku.

Një krah i fortë jo vetëm në mbështetjen e tij si person, por edhe për Familjen Shllaku e trashigiminë dinjitoze të brezave të saj deri në ditët tona, ishte bashkëshortja e tij Margerita Shllaku, lindur në një familje me përbëje intelektuale. Prindët e saj ishin Gjyzepina Kurbini - ndër mësueset e para të Shkollës Shqipe, dhe i ati Agostin Çiftja – ekonomist.

Margerita shquhej për inteligjencën e saj të lartë, aftësitë e shkëlqyera në fushat shkencore matematike – fizikë dhe kimi, (siç u shaya i veçanërisht i vëllai Gjon Çiftja - fizikant), duke u vlerësuar si një nga mësueset e metodistet më të afta të qytetit të Shkodrës.

Koristë e pjesëmarrës në 40 vjetorin e operes "Mrika"

Në të njëjtn kohë zotëronte aftësinë e të kënduarit në koro, praktikë e shkëlqyer artistike e motrave Stigmatine ku ajo studioi në fëmijëri, dhe e vazhdioi në Korin e Shtëpisë së Kulturës që në krijimin e saj, e deri sa ishte gjallë drejtuesi i mirënjohur Prenkë Jakova. Edhe në Familjen e saj, arti ishte pjesë e rëndësishme e jetës: Çezarina Çiftja (Pistulli) – motra e madhe qe njëra perj aktoreve më të shquara të dramës, nga ku filloi rrugëtimin Teatri i Shkodrës, Gjovana Çiftja (Paluku) – motra e vogël këndonte në Radio-Shkodra.


Përveç të tjerave, Zoti i kishte dhënë një pamje fisnike dhe një komunikim të jashtëzakonshëm, falë të cilave ajo vlerëhej prej nxënësve të saj, e më gjërë si “Zojushë kokona”.

Nga martesa e tyre Ndoci e Margerita patën tre fëmijë Klaudia, Çeçilia, Gjoni, të cilët të rritur në një ambjent tërësisht artistik, ku në veçanti muzika ishte përherë e pranishme, falë aftësive e prirjeve individuale të sejcilit, u pranuan në Shkollën e Muzikës ku morën formimin profesional Klaudia në violinë, Çeçilia në pianofortë, e Gjoni gjithashtu në pianofortë, e në vazhdim ju përkushtua fushës së kompozicionit.

Klaudia si violiniste u aktivizua që në koncertin e Parë të Shkollës si soliste, e në vazhdim si pjesë e Orkestrës së Shkollës, e më vonë në Orkestrën Simfonike të Shtëpisë së Kulturës, si dhe interpretoi në formacionin modern “Pranvera ‘72”. specializohet si parukiesre dhe punon për disa kohë në teatrin “Migjeni" Shkodër. Sot jeton në itali.

Vajza e dytë Çeçilia, gjithashtu studion për pianofortë dhe dallohet si një talent i veçantë dhe nxënëse e nivelit të lartë me rezultate të shkëlqyera në të gjitha lëndët. Këndon në festivalet lokale e kombëtare fëmijëve, në njërin prej të cilëve shpallet fituese me këngën “Fatosi dhe Qingji”. Përfundon Shkollën e Mesme Artistike “Prenkë Jakova” dhe diplomohet për instrumentin fizarmonikë, dhe punon në arsim, duke kontribuar njëkohësisht në gjithë aktivitetet e Korit të Shtëpisë së Kulturës si pjesë e tij, ku shpeshherë ka luajtur rolin e koncert-maesres së sektorëve të këtij formacioni të mirënjohur vokal. Sot jetoh në Itali.



5.2 GJON Ndoc SHLLAKU

Kompozitor, Drejtues i Korit Polifonik "Prenk Jakova", 
President i Shoqatës Kulturore Artistike “Prenkë Jakova” Shkodër.

Më i vogli i fëmijëve i lindur në 1960 në qytetin e Shkodrës në një familje me tradita muzikore, që në heret i përkushtohet studimeve për piano, instrument në të cilin diplomohet në Shkollen e Mesme Artistike “Prenkë Jakova” të këtij qyteti (1979). Në vazhdim studion për kompozicion në Universitetin e Arteve – Tiranë, ku diplomohet (1984) nën drejtimin e Prof. Çesk Zadeja, duke realizuar me sukses baletin “Nuse Arbana”.

Prej shumë vitesh zhvillon aktivitetin e tij profesional si mësues i lëndeve të Harmonisë e të Analizës së Formës pranë Shkollë së Mesme Artistike “Prenkë Jakova”, ku ka kryer edhe detyrën drejtuesit të Sektorit të Lëndeve Teorike. Aktivizohet si pedagog i jashtëm në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër në Fakultetin Shkencave të Edukumit.


Si kompozitor ka shkruar vepra vokale dhe instrumentale mes të cilave: Uverturë për Orkestër, Fantazi për Violinë e Orkestër, Divertisment për solitë e orkestër, Operetë, muzikë për femijë etj.
Ne te njejten kohe zhvillon edhe aktivitet koncertal, kryesisht si koncertmaëster, me solistë dhe këngëtarë të shquar shqiptarë. Për shumë vite si antar i Orkestrēs Filarmonike Shkodër është aktivizuar si timpanist.
Në rolin e dirigjentit, me parë ka drejtuar Korin e Katedrales – Shkodër. Që nga viti 1997 e në vazhdim është i angazhuar pranë Korit Polifonik “Prenkë Jakova”, të cilin e ka krijuar vetë.


Gjon Ndoc Shllaku shtë president i Shoqatës Kulturore Artistike “Prenkë Jakova” që nga themelimi i saj. Ai ruan, kultivon dhe përfaqson tiparet më të mira të traditave të Famijles Shllaku, përmes një pune këmbëngulëse, cilësore dhe plot kreativitet duke ndjekur rrugën e të parëve.





Edhe bashkëshortja e Gjonit, Rozi Nenshati është bijë e një familje me tradita në fushën e artit e të muzikës, ku shquhet xhaxhai Angjelin Nenshati - një ndër mjeshtrat e fotografisë krahat Marubit, Picit, Raboshtës e Jakovës. Gjithashtu ajo është e diplomuar si Soprano në Shkollën e Mesme Artistike “Prenkë Jakova”, ku edhe kontribuon si m ësiese e ciklit të ulët, mbasi kreu studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi” për mësuesi. Rozi është aktivizuar në të gjitha aktivitetet e Korit të Shtëpisë së Kulturës, si dhe vazhdon përsëri aktivitetin me Korin Polifonik ”Prenkë Jakova” të Shoqatës me të njëjtin emër, që drejtohet nga Gjon Shllaku.

Tradita artistike e familjes Shllaku, nuk ndalet këtu, edhe dy fëmijët e çiftit Gjon dhe Rozi Shllaku, janë të angazhuar në fushat e artit e muzikës:

Antonio Gjon Shllaku - i biri, mbasi pëfundoi Shkollën Austriake “Peter Mahringer”, studion aktualisht në Akademinë e Arteve “Brera” në Milano, në degën e “Teknologjive të e reja të Artit”, zotëron tre gjuhë të huaja dhe luan në instrumentin e pianos, kitarrës dhe në perkusione.

Margerita Shllaku - e bija, ka përfunduar Shkollën e Mesme Artistike “Prenkë Jakova” duke u diplomuar në instrumentin Kitarrë klasike, dhe falë aftësive të mira të kënduarit është aktivizuar me Qendrën Kulturore të Fëmijëve, me Korin Polifonik ”Prenkë Jakova”, gjithashtu si soliste në veprimin muzikor “Bija shqiptare” të Vinçenc Prennushit me muzikë të At Martin Gjokës dhe në aktivitete të tjera si soliste e muzikës bashkëkohore, dhe aktualisht studion në Konservatorin “L. Capliani” Mantova në degën Kanto Moderne.




Gjithashtu, ifundit muzikant i shquar i dalë nga dora e Ndoc Shllakut (filloi mësimet e violinës në moshën 5 vjeçare me të) është nipi i tij Eugjen Gargjola (i biri i Klaudies). Violinist i nivelit të lartë ndërkombëtar, i cili mbasi përfundoi klasën e 8-të pranë Shkollë Artistike “Prenkë Jakova” me mësues Lorenc Radovani, u diplomua në Itali me rezultate të shkëlqyera në violinë.

Po ashtu edhe motra e tij, Leticia Gargjola, ka studiuar në Konservatorin e Mantoves për pianofortë, në vazhdim edhe të traditës së familjes së të atit, ku shquhet pianisti i parë i Shoqnisë “Rozafat”, Shuk Shllaku – kompozitor i pjesëve të para instrumentale në vëndin tonë.